Pagat e ulëta, mungesë pushimi dhe pasiguria në punë janë shqetësimet kryesore që punëtorët e sektorit privat i kanë në Kosovë. Për KosovaPress, ata theksuan se realiteti i përditshëm i tyre mbetet larg standardeve minimale të dinjitetit dhe sigurisë në punë.
Hajriz Kadriu, punëtor i sektorit privat, tha se pjesëmarrja e tij në protestë ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, të cilat sipas tij, po shkelen vazhdimisht. Ai ngriti shqetësimin për keqtrajtim dhe kushte të rënda ekonomike.
Ai shtoi se mungesa e reagimit institucional ndaj aksidenteve në vendin e punës është shqetësuese.
Edhe Jetmir Krasniqi, kryetar i sindikatës në QKUK, theksoi problemin e mungesës së pushimit vjetor për punëtorët e sigurimit. Sipas tij, kontratat e shkurtra nga kompani të ndryshme po i lënë punëtorët pa të drejtën për pushim.Ndërkaq Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat mbajti një protestë duke ngritur shqetësimet për kushtet e rënda të punës, pagat e ulëta dhe mungesën e zbatimit të ligjeve në fuqi.
Punëtorët kërkuan ndërhyrje urgjente nga institucionet për të garantuar të drejtat e tyre, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurimin e një jete dinjitoze.