Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 17 vjet burgim Bleron Dibranin, i akuzuar për vrasjen e 19-vjeçarit, Ardit Zymeri, në Vushtrri, vrasje kjo e ndodhur më 23 mars 2025.
Ende pa përfunduar shpallja e vendimit, familjarët e viktimës janë larguar të revoltuar dhe të mërzitur nga salla, duke brohoritur.
Xhaxhai i viktimës, Nystret Zymeri, thai se vendimi i sotëm është një “vrasje e dytë” për familjen, duke theksuar se ky gjykim është mesazh negativ për të rinjtë të cilët, siç tha ai, mund ta bëjnë të njëjtën gjë që ka bërë i akuzuari.
“Vendimi i gjykatës sot ka qenë një vrasje e dytë për familjen tonë, një vrasje e dytë për familjen tonë. Nuk ka qenë gjykim. Kemi mbajtur shumë shpresa në Gjykatën e Kosovës, konkretisht në këtë gjykatë këtu, kemi pasur shpresa të mëdha, por na kanë vrarë neve për së dyti. Dhe le të kujtohen mirë se në çfarë gjendje na kanë sjellë në familjen tonë. Kjo është tmerr, është vrarë njeri me dashje, siç i keni përcjellë edhe seancat e tjera, është deklaruar se e ka mbajtur armën një muaj ditë për këtë punë, dmth ka qenë vrasje me paramendim, nuk ka qenë vrasje. Djalin 18 vjeç e kemi shti në dhe dhe sot po del e po thotë se i ka 15 vite burg. Kjo është një vrasje e dytë për ne. E thashë edhe më herët, edhe 50 vite me na i dhënë neve nuk na ngihet zemra, mirëpo është një mesazh i keq për të gjithë të tjerët, për rininë në Kosovë. Është mesazh i keq, sepse po dalin e po bëjnë vrasje. Për çdo ditë po kemi vrasje të tjera. Ky është një mesazh i keq për drejtësinë dhe të gjithë këtu”, tha Zymeri.Në seancën përfundimtare, i akuzuari Dibrani ka deklaruar se para ngjarjes kishte pasur kërcënime në rrjete sociale dhe se viktima i ishte afruar natën kritike.
“Po, e kam njohur përmes rrjeteve sociale. Ka pasur kërcënime vazhdimisht në rrjete sociale ndaj meje”, tha ai.
Si ndodhi vrasja e Ardit Zymerit në mars të vitit 2025?
Në aktakuzë thuhet se Dibrani, me armë zjarri të llojit “Zoraki 917-T”, e kalibrit 9 mm gaz, e cila ishte konvertuar në armë zjarri të kalibrit 9×17 mm, ka shtënë në drejtim të viktimës duke e goditur tri herë në trup.
Si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës, viktima kishte pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi, çka sipas Prokurorisë kishte shkaktuar gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë arrestimit të Bleon Dibranit në vitin 2025, në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa e njëjta armë ka qenë në posedim në kundërshtim me ligjin.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i dyshuari Bleon Dibrani ka deklaruar se armën e mbante me vete që nga momenti kur, sipas tij, katër persona kishin tentuar ta fusnin në veturën e tyre rreth një muaj më parë. Ai ka shtuar se armën e kishte blerë nga një person në fshatin Pasomë të Komunës së Vushtrrisë dhe se e mbante vetëm për vetëmbrojtje, ndërsa personi që ia kishte shitur armën nuk kishte pasur njohuri për problemet që ai kishte pretenduar se i kishte.