Për 17 nga 29 të arrestuarit të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm u është vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa të tjerët janë liruar për t’u mbrojtur në liri.
Kështu është bërë e ditur për KosovaPress nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Hateme Haxhaj.
Në kuadër të këtij rasti, gjashtë të pandehurve A.I., F.D., F.M., B.S., N.H. dhe Sh.A. u është ndërprerë masa e paraburgimit dhe janë liruar më 15.05.2026.
“Ndërkaq, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të datës 18.05.2026, me aktvendim të veçantë, të pandehurve: A.B., D.S., N.M., B.M., R.S., B.I., B.B., A.R., A.M., D.M., A.M.1, Xh.S. dhe D.U., u është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, ka shtuar ajo.
Për këtë grup, paraburgimi llogaritet nga 18.05.2026 deri më 17.06.2026, ndërsa për të pandehurin D.U. nga 23.05.2026 deri më 22.06.2026.
Po ashtu, Gjykata Themelore në Mitrovicë – dega në Skenderaj ka ndërprerë masën e paraburgimit për dy të pandehurit B.G. dhe Y.A.
Gjatë aksionit janë shoqëruar 34 persona të dyshuar, janë kontrolluar rreth 50 lokacione dhe janë sekuestruar rreth 170 mijë euro para të gatshme, pesë automjete, armë zjarri dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për veprimtari të kundërligjshme.