Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kritikoi rreptë paraqitjen e deputetit të VLEN-it Bekim Çoku, i cili, sipas BDI-së, arsyeton dobësitë e VLENI-it me “fuqinë e tmerrshme” të VMRO-DPMNE-së.
“I pyetur nga gazetari se përse VLEN-i është kaq i dobët në Qeveri, njëri nga drejtuesit e saj, Bekim Qoku, u përgjigj se VMRO-DPMNE është “tmerrësisht e fortë”.
Çoku nuk shpjegoi çfarë po bën VLEN-i për ta kufizuar fuqinë e VMRO-DPMNE-së. Nuk tha cilat kushte i kanë vendosur partnerit qeveritar, cilat vendime i kanë ndaluar, cilat interesa shqiptare i kanë mbrojtur dhe ku janë vijat e tyre të kuqe.
Përse mbani funksione, nëse vetë pranoni se nuk keni fuqi politike? Cili është roli juaj, përveçse të siguroni votat e nevojshme për vendimet e VMRO-DPMNE-së dhe t’i jepni asaj mbulesë shqiptare?
VLEN-i i humbi zgjedhjet në kampin politik shqiptar, por u përzgjodh nga VMRO-DPMNE si partneri i saj i preferuar. Sot bëhet e qartë përse: VMRO-DPMNE nuk kërkonte një partner që do ta kushtëzonte, por një partner që do t’i nënshtrohej.
Po përpiqen ta frenojnë duke heshtur ndaj çdo goditjeje mbi shqiptarët?
Po përpiqen ta kufizojnë duke hequr dorë nga çdo kusht dhe çdo qëndrim politik?
Sa më shumë përkulet VLEN-i, aq më e fortë bëhet VMRO-DPMNE. Sa më shumë hesht VLEN-i, aq më shumë zgjerohet pushteti i partnerit të tij. Sa më shumë mbahen pas funksioneve, aq më shumë dobësohet përfaqësimi politik i shqiptarëve.
Prandaj Bekim Qoku dhe gjithë drejtuesit e VLEN-it duhet të përgjigjen:
Nëse VMRO-DPMNE është “tmerrësisht e fortë”, çfarë po bëni ju përballë saj? Apo servilizmi është i vetmi ilaç politik që njihni?”, thuhet në reagimin e BDI-së.