KFOR: FSK-ja në stërvitjen “Golden Sabre 2026” vetëm në kuadër të mbrojtjes civile
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
KFOR: FSK-ja në stërvitjen “Golden Sabre 2026” vetëm në kuadër të mbrojtjes civile
Më 2 dhe 3 korrik, në kampin e Vrellës do të mbahet ushtrimi i përbashkët “Golden Sabre 2026” (Shpata e Artë 2026).
Lajmi është bërë i ditur nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që ka konfirmuar se në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe EULEX, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME).
KFOR ka njoftuar se në ushtrim do të marrë pjesë edhe FSK, ndërsa është kujdesur të sqarojë se kjo bëhet “në përputhje me mandatin e saj në fushën e mbrojtjes civile”.
Sipas forcave të NATO-s në Kosovë, gjatë ushtrimit do të angazhohen një numër i madh i personelit, automjeteve dhe pajisjeve në zonën e stërvitjes dhe përgjatë rrugëve përreth.
Qëllimi i ushtrimit, si u tha në një kumtesë, është të testohen aftësitë dhe koordinimi i institucioneve për menaxhimin e situatave të ndryshme të sigurisë, përfshirë trajtimin dhe asgjësimin e mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka thënë, sipas njoftimit, se ushtrimi dëshmon angazhimin e vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të sigurisë në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. /KosovaPress/