​Shefi i futbollit “konfirmon” ndryshimin e madh të Kupës së Botës 2030
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Shefi i futbollit “konfirmon” ndryshimin e madh të Kupës së Botës 2030
world cup
21/07/2026 - 08:14
Linku u kopjua

Presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, ka lënë të kuptohet se Kampionati Botëror i FIFA-s në vitin 2030 mund të zhvillohet me 64 kombëtare pjesëmarrëse, megjithëse një vendim zyrtar nga FIFA ende nuk është marrë.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Dominguez deklaroi se Botërori i vitit 2030, i cili do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, me ndeshjet hapëse që do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, do të shënojë 100-vjetorin e Kupës së Botës “me një garë që do të përfshijë 64 ekipe”.

Megjithatë, deklarata e tij nuk përbën konfirmim zyrtar, pasi FIFA ka bërë të ditur se propozimi për zgjerimin e turneut është ende në fazën e shqyrtimit.

Vetëm një ditë më parë, Dominguez kishte cilësuar formatin me 64 kombëtare si një “ëndërr” për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte deklaruar se çështja do të shqyrtohet pas përfundimit të Botërorit, duke theksuar se zgjerimi i turneut synon t’u japë më shumë vendeve mundësinë për të ëndërruar pjesëmarrjen në kompeticionin më të madh të futbollit.

“Kur organizon një Kupë Bote, duhet ta mendosh për të gjithë botën, jo vetëm për Evropën dhe Amerikën e Jugut. Çdo komb duhet të ketë mundësinë të ëndërrojë pjesëmarrjen. Nëse vendeve më të vogla nuk u jepet kjo mundësi, atyre u mungon motivimi për t’u zhvilluar”, ka thënë Infantino.

Botërori i vitit 2026 ishte edicioni i parë me 48 kombëtare, ndërsa deri në vitin 2022 në garë merrnin pjesë 32 përfaqësuese.

Propozimi për zgjerimin në 64 ekipe ka hasur në kundërshtime nga disa drejtues të futbollit. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka cilësuar atë si “ide të keqe”, ndërsa presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC), Sheikh Salman bin Ibrahim Al Khalifa, ka paralajmëruar se një ndryshim i tillë mund të krijojë “kaos” në futbollin ndërkombëtar.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026