FIFA ka konfirmuar një sërë rregullash të reja që do të aplikohen në Kupën e Botës 2026, me qëllim rritjen e kohës efektive të lojës dhe reduktimin e vonesave të qëllimshme nga futbollistët.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me rivëniet anësore. Lojtarët do të kenë vetëm pesë sekonda për ta ekzekutuar rivënien në lojë, ndërsa vonesat e qëllimshme mund të bëjnë që topi t’i kalojë ekipit kundërshtar. I njëjti parim do të zbatohet edhe te goditjet nga porta, ku vonesat e qëllimshme mund të ndëshkohen me akordimin e një goditjeje këndi për kundërshtarin.
Sipas rregullave të reja, lojtarët që marrin trajtim mjekësor nga fizioterapistët do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për 60 sekonda para se të rikthehen në lojë. Përjashtime do të ketë për portierët, dëmtimet më serioze dhe rastet kur kundërshtari ndëshkohet me karton të verdhë ose të kuq.
FIFA ka vendosur gjithashtu masa më të ashpra disiplinore për sjelljet konfrontuese. Lojtarët që mbulojnë gojën gjatë përballjeve ose debateve me kundërshtarët mund të ndëshkohen deri me karton të kuq.Këto ndryshime pritet të debutojnë në skenën më të madhe të futbollit botëror gjatë Kupës së Botës 2026, e cila do të organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.