​Rrahmani transferohet në Serie A
2-Second
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Rrahmani transferohet në Serie A
a rrahmani
09/07/2026 - 12:00
Linku u kopjua

Sulmuesi kosovar Albion Rrahmani është zyrtarisht futbollist i Venecias. Klubi italian ka njoftuar se ka siguruar shërbimet e tij nga Sparta Praga me transferim të përhershëm, ndërsa 25-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri më 30 qershor 2029.

Rrahmani, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në futbollin evropian, duke kaluar nëpër disa klube dhe duke lënë gjurmë me golat e tij.

Ai debutoi në ekipin e parë me Minatorin në sezonin 2019/20, ndërsa në verën e vitit 2021 u transferua te Ballkani, ku zhvilloi 68 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 34 gola dhe duke dhuruar 9 asistime. Me skuadrën nga Suhareka ai pati edhe paraqitjet e para në garat evropiane, përfshirë eliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe Ligën e Konferencës.

Në sezonin 2023/24, sulmuesi kosovar u transferua te Rapidi në Rumani, ku shkëlqeu me 18 gola dhe 6 asistime në të gjitha kompeticionet.

Një vit më vonë, Rrahmani iu bashkua Spartës së Pragës, ku regjistroi 83 paraqitje, 26 gola dhe 6 asistime. Me përvojë të madhe në arenën evropiane, ai ka luajtur në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës, duke kontribuar edhe me gola në këto gara.

Në nivel ndërkombëtar, Albion Rrahmani është pjesë e Kombëtares së Kosovës që nga viti 2023. Deri më tani ka zhvilluar 25 ndeshje me fanellën e “Dardanëve” dhe ka shënuar 7 gola.

Pas transferimit në Itali, Rrahmani është shprehur i kënaqur me projektin e klubit të ri.

“Venezia është një klub me histori të rëndësishme dhe një projekt shumë ambicioz për të ardhmen. Jam impresionuar nga vizioni dhe objektivat e klubit. Të përfaqësosh një qytet kaq unik dhe prestigjioz, me tifozë kaq të pasionuar, është një motivim i madh për mua. Do të jap gjithmonë maksimumin dhe së bashku me bashkëlojtarët do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur objektivat e skuadrës”, ka deklaruar Rrahmani.

Me këtë transferim, sulmuesi kosovar hap një kapitull të ri në karrierën e tij, duke synuar të vazhdojë formën e mirë edhe në futbollin italian.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026