Roberto Mancini është shumë pranë rikthimit në stolin e kombëtares së Italisë, raportojnë mediat italiane, pas kontakteve pozitive që janë zhvilluar së fundmi mes trajnerit dhe Federatës Italiane të Futbollit (FIGC). Sipas raportimeve, ish-përzgjedhësi i “Azzurrëve” konsiderohet tashmë kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar.
Mancini, i cili udhëhoqi Italinë nga viti 2018 deri në vitin 2023 dhe e shpalli kampione të Evropës në vitin 2021, pritet të rikthehet pas një periudhe të vështirë për përfaqësuesen italiane. Burime të ndryshme në Itali raportojnë se negociatat kanë avancuar ndjeshëm dhe se emërimi i tij mund të jetë vetëm çështje kohe.
Sipas raportimeve, Mancini mund të nënshkruajë një kontratë afatgjatë deri në vitin 2030, duke marrë përsipër rindërtimin e kombëtares italiane pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026.
KosovaPress