Francezi Kylian Mbappe ka pranuar se kombëtarja e Francës nuk e zbatoi planin e lojës në humbjen 2:0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, duke e cilësuar eliminimin si një “zhgënjim të madh”. Sulmuesi i Real Madridit tha se skuadra dështoi si në aspektin taktik ashtu edhe në atë teknik, duke mos arritur të paraqiste nivelin e kërkuar në një ndeshje kaq të rëndësishme.
“Nuk mendoj se luajtëm ndeshjen që donim të luanim, qoftë taktikisht, teknikisht apo për sa i përket nivelit të përgjithshëm të paraqitjes sonë. Dhe kur nuk bën atë që duhet të bësh në një gjysmëfinale të Kupës së Botës, nuk fiton”, deklaroi Mbappe për televizionin francez M6.
Mbappe theksoi se problemi kryesor ishte në mesfushë, ku Adrien Rabiot dhe Aurelien Tchouameni u përballën vazhdimisht me epërsinë numerike të Rodrit, Dani Olmos dhe Fabian Ruizit. “Vazhdimisht e gjenim veten në situata 3 me 2 në mesfushë. Dhe kundër Spanjës kjo është një problem i madh. Kur i bashkon të gjitha këto, rezultati është humbja. Është një zhgënjim i madh”, shtoi ai.
Sulmuesi francez tha se objektivi i skuadrës ishte të arrinte finalen dhe t’i jepte Francës mundësinë të vazhdonte ëndrrën për një tjetër titull botëror, por tani skuadra duhet të mësojë nga ky dështim.