Federata Kroate e Futbollit ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA pas eliminimit nga Portugalia në fazën e 1/32-ës së Kampionatit Botëror, duke akuzuar organin qeverisës të futbollit për atë që e quan “abuzim me teknologjinë” gjatë një momenti vendimtar të ndeshjes.
Kroacia u mposht me rezultat 2-1 nga Portugalia në një sfidë dramatike, ku në minutat shtesë Josko Gvardiol realizoi një gol që fillimisht u pranua nga gjyqtari Espen Eskas, por më pas u anulua pas një rishikimi të gjatë nga sistemi VAR.
FIFA mbrojti përdorimin e kësaj teknologjie, duke theksuar se sensorët ofrojnë të dhëna të sakta dhe ndihmojnë arbitrat në marrjen e vendimeve më të shpejta dhe më të drejta.
Megjithatë, Federata Kroate vlerëson se përdorimi i të dhënave kaq të detajuara bie ndesh me frymën e sistemit VAR, i cili sipas tyre duhet të ndërhyjë vetëm në rastet e “gabimeve të qarta dhe evidente”.Zëdhënësi i Federatës Kroate, Tomislav Pacak, deklaroi se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me vendimet e arbitrave, por me mënyrën se si është zbatuar protokolli i VAR-it.
“Besojmë se protokolli i VAR-it është zbatuar gabimisht në rastin e penalltisë për Portugalinë dhe se arbitri nuk duhej të thirrej për ta rishikuar situatën. Po ashtu, goli i barazimit u anulua në kundërshtim me rregullat dhe frymën e futbollit, pasi pozita jashtë loje u përcaktua për shkak të një prekjeje pothuajse të padukshme të topit, të evidentuar vetëm nga sensori”, ka deklaruar Pacak.
KosovaPress