Mbrojtësi i kombëtares së Francës, Ibrahima Konate, ka arritur marrëveshje katërvjeçare me Real Madridin pas largimit të tij nga Liverpooli.
Sipas burimeve pranë negociatave, njoftimi zyrtar për kalimin e tij te "Los Blancos" me një kontratë të vlefshme deri në vitin 2030 pritet të bëhet të martën. Ky transferim vjen si një premtim i mbajtur nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, i cili u rizgjodh në krye të klubit të dielën mbrëma dhe kishte paralajmëruar se qendërmbrojtësi 27-vjeçar do të ishte përforcimi i tij i parë, krahas premtimit për të sjellë Jose Mourinhon si trajner.
Për mbrojtësin francez, i cili aktualisht është grumbulluar me Francën për Botërorin e Amerikës së Veriut, ky do të jetë klubi i katërt në karrierë pas Sochaux, Leipzig dhe Liverpoolit.
Gjatë pesë sezoneve te "Reds", ai zhvilloi 183 ndeshje duke fituar FA Cup dhe League Cup nën drejtimin e Jurgen Klopp, si dhe titullin e Premier Ligës angleze edicionin e kaluar nën menaxhimin e Arne Slot.