Në prag të nisjes së ciklit kualifikues për Lojërat Olimpike Los Angeles 2028, trajneri legjendar i xhudos kosovare, Driton Kuka, ka ndarë reflektime të thella mbi çmimin personal të suksesit që e ka ngritur Kosovën në majat e sportit botëror.
Njeriu që udhëhoqi vendin drejt pesë medaljeve olimpike në tri edicione të Lojërave, pranon se lavdia sportive ka ardhur me sakrifica të mëdha familjare, stres të vazhdueshëm dhe dilema të forta emocionale.
Ndërkohë, trajneri tregon se është shumë e vështirë emocionalisht kur kampionët e tij dalin në pension, sepse i ka rritur nga fëmijëria dhe ndjen sikur po humb familjen. Ai përmend me emocione largimin e Majlindës dhe Norës, duke theksuar se kanë kaluar më shumë kohë me të se me familjet e tyre. Megjithatë, ai shprehet krenar dhe i gatshëm t’i mbështesë gjithmonë, edhe pas përfundimit të karrierës së tyre.
“Për mua është shumë e vështirë. Majlinda erdhi kur ishte nëntë vjeç, Nora kur ishte shtatë vjeç, Distria kur ishte gjashtë. Kështu që mendoj se të treja, dhe Akili gjithashtu, kaluan më shumë kohë me mua sesa me familjet e tyre, baballarët dhe nënat e tyre. Pra, sigurisht, është vërtet emocionuese, por jam vërtet i lumtur që mund t’i mbështes të jenë kudo që duan të jenë. Gjithmonë i mbështes. Ata do të kenë mbështetjen time deri në fund të jetës sime sepse e meritojnë. Ata bënë shumë sakrifica për këto rezultate”, tregon Kuka.Kuka bënë të ditur se edhe trajnerët kanë nevojë për mbështetje psikologjike, sepse presioni dhe adrenalina e garave të mëdha janë shumë të vështira për t’u përballuar vetëm, sidomos kur përfaqësohet një komb i tërë.
“Sepse shumë njerëz mendojnë se atletët kanë nevojë për mbështetje mendore dhe ekspertë të shëndetit mendor. Më besoni, edhe për trajnerët është e vështirë. Shumë e vështirë, veçanërisht në rastin tim, ku në çdo Lojë Olimpike i gjithë kombi më shikonte. Është shumë e vështirë të përballesh me këtë”, thotë Kuka.
Ndër të tjerash, ai e krahason punën e tij me ndërtimin e një “Ferrari” nga zero, duke formuar kampionë olimpikë me përkushtim maksimal dhe detaje deri në milimetër, me synim të pandryshuar përsosmërinë dhe medaljet olimpike.
Në një botë ku qindra trajnerë në mbi 200 vende ndjekin të njëjtën ëndërr olimpike, Kuka vazhdon të mbajë mbi supe shpresat e një kombi të tërë.
KosovaPress