Zvarriten punimet në magjistralen Prishtinë-Podujevë, ankohen banorët: Pluhuri na ‘mbyti’ e veturat po dëmtohen
Lexohet për: 4 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Ani pse kanë kaluar rreth tetë vjet që prej kur kishin filluar punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, ato ende nuk kanë përfunduar. Kolonat e gjata, pluhuri, zhurma, e gropat (vrimat) nëpër rrugë, po u shkaktojnë shumë telashe banorëve të cilët jetojnë afër rrugës, por edhe qytetarëve dhe shoferëve me automjete që lëvizin në këtë rrugë, pothuajse për çdo ditë. 

Banorët e Podujevës ankohen se punimet e tejzgjatura në magjistrale, po u kushtojnë atyre me pasoja shëndetësore dhe rënie të afarizmit te bizneset përreth rrugës. Ata thonë se ka rënë dukshëm fluksi i punës prej se kanë filluar punimet infrastrukturore rrugore.

Vesel Kelani i cili ka edhe një biznes, thotë se po u pengojnë punimet, për shkak të pluhurit të madh që po u shkakton dëme në shëndet. Përveç kësaj, ai tregon se konsumatorët ankohen, për çka shton se ka rënë dukshëm shitja në biznesin e tij. 

Po ashtu, edhe banori Hilmi Vllasa shprehe ankesat e tij, duke thënë se puna po neglizhohet. Sipas tij, shumicën e kohës makineritë nuk punojnë, për çka edhe kritikon Ministrinë e Infrastrukturës. 

Gjithashtu, edhe Imer Jashanica thotë se pluhuri i ka mbuluar gjithandej, si në shtëpi por edhe në marketin e tij. 

Ai tregon se për shkak të punimeve, nuk i kanë lënë vend se ku të parkohen veturat e konsumatorëve dhe si rrjedhojë e kësaj, numri i blerësve ka rënë dukshëm. 

Vrimat e formuara në magjistralen Prishtinë-Podujevë, po u dëmtojnë edhe veturat që qarkullojnë në këtë aks rrugor.

Ilir Jaha potencon se shumë shpesh lëvizë në këtë rrugë dhe se përballet me kolona të gjata e pluhur të madh.

Ai brengoset edhe për mërgimtarët, për çka thotë se do t’u dëmtohen veturat e shtrenjta. 

Ndërkaq, ankesa lidhur me këto punime janë drejtuar edhe në Komunën e Podujevës, thotë drejtori i Urbanizmit, Leutrim Krasniqi. 

Ai potencon se ankesat e pranuara nga banorët i kanë përcjellë në Ministrinë e Infrastrukturës, derisa shton se kërkuan nga kjo e fundit që mos të ketë neglizhencë në procesin e punimeve. 

Krasniqi thotë se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare nga ministria se kur pritet të përfundojnë punimet. 

Ndërkaq, KosovaPress ka drejtuar pyetje edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, për të marrë më shumë detaje rreh procesit të zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. 

Punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, përkatisht në segmentet Bardhosh-Lluzhan kishin nisur më 3 korrik të vitit të kaluar, ku patën marrë pjesë në inaugurim kryeministri Albin Kurti dhe drejtues të Ministrisë Infrastrukturës. Zotimi i tyre kishte qenë që këto punime të përfundojnë brenda 360 ditëve (ditë pune).

Para pak ditësh, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, bashkë me zëvendësministrin Hysen Durmishi, kanë inspektuar nga afër punimet që po bëhen në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Aliu e ka quajtur këtë një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, derisa ka shtuar se punimet po avancojnë. 

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka premtuar se këtë vit do të përfundojnë punimet në rrugët që kanë qenë në proces ndërtimi për vite të tëra, duke përfshirë edhe rrugën Prishtinë-Podujevë.

“Sa i përket infrastrukturës rrugore, vitin 2024 do të jetë vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të reja. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj pritet të finalizohen sivjet”, kishte deklaruar Kurti në një mbledhje të Qeverisë, në fillim të vitit.

https://kosovapress.com/nisin-punimet-rruga-prishtine-podujeve-konsiderohet-jetike-per-qytetaret

https://kosovapress.com/hekurudha-prishtine-durres-punimet-ne-rruget-per-podujeve-e-peje-ministri-aliu-jep-detaje

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024