Dallavere në procedura, ështu cilësuar krimi për të cilin dyshohet se e kanë kryer zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Departamentin për të Huaj, të cilët u arrestuan sot.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe anashkalim të procedurave ligjore.
Sipas tij, ekziston dyshimi se personat e përfshirë, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare dhe ndërmjetësuese, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore, me qëllim të përfitimit financiar.
Ministri në detyrë tha se institucionet mbeten të përkushtuara ndaj integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik.Sveçla shtoi se luftimi i korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional janë parakushte për ofrimin e shërbimeve të drejta, efikase dhe transparente për qytetarët.
Sipas tij, askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve.