Zgjedhjet në veri vendosen në plan të dytë pas aktit të agresionit nga Serbia
Lexohet për: 3 min.
zgjedhjet-veri-050923
1 vit më parë
Linku u kopjua

Akti i agresionit të Serbisë në Kosovë më 24 shtator ka ndryshuar rrjedhën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore. Edhe pse janë bërë mbi një muaj nga hartimi i udhëzimit administrativ nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që mundëson përmes peticionit largimin e kryetarëve aktual ende s’ka nisur asnjë iniciativë nga serbët lokal për një gjë të tillë. 

Në MAPL thonë se obligimet ligjore i kanë përmbushur dhe se tani mbetet në vullnetin e qytetarëve për të nisur hapat tutje, derisa theksojnë se dikasteri i tyre nuk vendos për shkarkimin apo vazhdimin e punës së kryetarëve aktual. Në anën tjetër, në partinë opozitare AAK kërkojnë nga Qeveria se pas sulmit terrorist në Banjskë, të koordinohet me aleatët ndërkombëtar për çfarëdo veprimi që mund të ndërmarrin për zgjedhjet në veri. Mirëpo njohësit e proceseve zgjedhore thonë se s’ka rrethana për organizim të zgjedhjeve në veri pas aktit të agresionit serb ndaj Kosovës.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë për KosovaPress, se institucionet duhet të jenë më të kujdesshme në veprimet e tyre për zgjedhjet në veri dhe të kenë bashkërendim me aleatët.

Sipas saj, sulmi terrorist në veri ka bërë që të cenohet siguria kombëtare dhe sovraniteti i vendit.

Njohës i proceseve zgjedhore, njëherësh profesor universitar, Mazllum Baraliu thotë se kryetarët aktual në veri duhet të vazhdojnë punën e tyre, pasi pas aktit terrorist serb më 24 shtator s’vjen në shprehje organizimi i zgjedhjeve të reja.

Ai sugjeron ekzekutivin të merret me hetimet për sulmin terrorist në veri dhe derisa të bëhet ekstradimi i sulmueseve dhe sanksionimi i Serbisë të mos shpallen zgjedhjet e reja në  veri.

Në bazë të një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian në Bratisllavë, Kosova ka treguar gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në verim: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kryetarët aktual në katër komunat veriore kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.

Ndërkaq, më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.

Në Bashkimin Evropian kanë thënë se do të presin hetimin e plotë përpara se të marrin ndonjë vendim për sulmin në Banjskë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024