Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për qeverisjen e tij katërvjeçare. Për herë të parë kryeministri Kurti foli për Gjykatën Speciale, duke dhënë edhe arsyet se pse nuk shkoi t`i vizitojë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente formularë, ku ti nënshkruan në Gjykatën Speciale”, tha Kurti në një intervistë për emisionin RTK Prime.
Ai foli edhe për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe shtroi pyetjen pse kur tre liderët kryesor të shtetit nuk janë dakord që ky person të bëhet Kryeprokuror, pse insiston ai?
Ndërsa i pyetur për shumë rastet e hapura, si ai i ambalazhuesve të ujit, afera e vajit dhe grurit, rasti i KEK-ut, të zotit Krasniqi, e raste të tjera Kurti tha se Krasniqi i ka sjell KEK-ut 105 milionë euro.Kryeministri foli edhe për të arriturat e vendit gjatë qeverisjes së tij.
“Kemi pasë rritje ekonomike impresive në këto 4 vjet, mesatarja ka qene 6 për qind e bruto prodhimit vendor dhe në të njëjtën kohë kemi të hyra rekord tatimore, që më bënë jashtëzakonisht të lumtur, sepse tregon besimin e qytetarëve në institucione dhe njëkohësisht rritjen e ekonomisë tonë nëpërmjet të lulëzimit tonë privat”.