Dy muaj pas tragjedisë në Novi Sad, kur 15 persona humbën jetën dhe dy u plagosën rëndë nga rënia e strehës së Stacionit Hekurudhor, u hodhën hapat e parë drejt një epilogu të mundshëm gjyqësor.
Prokuroria e lartë publike në Novi Sad ngriti aktakuzë kundër 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit, Goran Vesiq dhe ish-drejtoreshën e Infrastrukturës Hekurudhore të Serbisë, Jelena Tanaskoviq.
Që të katërtit akuzohen për veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut publik” për veprën penale të rëndë kundër sigurisë publike.
Projektuesi përgjegjës i strukturës së ndërtesës, kryeprojektuesi i projektit paraprak, kryeprojektuesi i projektit për lejen e ndërtimit, si dhe personat përgjegjës për auditimin, kontrollin teknik, kryerjen e punimeve të ndërtimit dhe mbikëqyrjen profesionale, u akuzuan për veprën e rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, por në lidhje me veprën penale të kryerjes së paligjshme dhe të parregullt të punimeve të ndërtimit.Prokuroria gjithashtu kërkon që të pandehurve t'u vazhdohet paraburgimi, si dhe të caktohet paraburgimi për të gjithë ata që mbrohen në liri - Jelena Tanaskoviq, Goran Vesiq dhe Anita Dimoski.
Prokuroria e Lartë Publike tha se presin që Gjykata e Lartë “të konfirmojë aktakuzën në një periudhë të shkurtër kohore për hir të veprimit urgjent dhe efikas”.
Investitori i projektit ka qenë Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë, e cila sipas lejes së ndërtimit është e obliguar të ofrojë mbikëqyrje profesionale gjatë kryerjes së punimeve.
Një konsorcium i kompanive kineze China Railway International dhe China Communications Construction u zgjodh për të kryer punimet në këtë projekt.
Kontrata e nënshkruar nga autoritetet serbe me partnerët kinezë për këtë punë nuk është e disponueshme për publikun.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq hapi ndërtesën e rinovuar së bashku me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Vetëm pak orë pas rënies së strehës, autoritetet pretenduan se ajo nuk ishte rinovuar, gjë që disa ekspertë e mohuan më vonë.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryetarit të Novi Sadit, Millan Gjuriq, dhe kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, presidentit të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale për rënien e strehës.
Së bashku me Vesiqin dha dorëheqjen edhe Tomislav Momiroviqi, paraardhësi i Vesiqit në sektorin e ndërtimit gjatë rindërtimit, e më pas edhe ministri i tregtisë së brendshme dhe të jashtme.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që të reagojë edhe Prokuroria për Krim të Organizuar, nga e cila njoftuan se nuk do të veprojnë në këtë çështje./Danas.rs/