Astronomët kanë zbuluar një lloj sheqeri në hapësirën mes yjeve, një zbulim që mund të ndihmojë në zbardhjen e misterit të origjinës së jetës në Univers.
Sheqeri, i quajtur eritrulozë, është identifikuar në retë e gazit dhe pluhurit që ndodhen mes yjeve në galaktikën tonë, Rrugën e Qumështit. Ky lloj sheqeri gjendet edhe në natyrë, përfshirë te mjedrat, si dhe përdoret në disa produkte kozmetike për vetë-nxirje.
Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore Nature Astronomy, raporton Associated Press, përcjell KosovaPress.
Shkencëtarët theksojnë se sheqernat janë ndër përbërësit më të rëndësishëm për jetën, pasi marrin pjesë në proceset biologjike dhe në ndërtimin e ADN-së, e jo vetëm për ëmbëlsimin e ushqimeve dhe pijeve që i konsumojmë.Sipas studiuesve, ky është një nga sheqernat më kompleksë të zbuluar deri më sot në hapësirë, në një rajon që madje është përshkuar nga Voyager të NASA-s, mjetet hapësinore që kanë udhëtuar më larg se çdo tjetër nga Toka.
Zbulimi mbështet teorinë se përbërësit bazë të jetës mund të kenë qenë të pranishëm në materialin nga i cili u formua sistemi diellor, dhe jo domosdoshmërish të jenë sjellë nga kometat apo asteroidët.