Sekretari i përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis ka vazhduar sot vizitat e tij në Kosovë, ku tani është takuar edhe me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), respektivisht presidentin, Ismet Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Besim Alitin.
Po ashtu, të pranishëm në këtë takim ishin edhe edhe drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), kryetari Arben Fetahu, sekretarja e përgjithshme, Elvira Dushku dhe anëtari i Bordit, Leart Hoxha.
Zagklis kërkoi nga drejtuesit e KOK-ut që të vazhdojnë përkrahjen drejt FBK-së sa i përket projektit 3x3, me shpresë se në të ardhmen Kosova të prek kualifikimet në Botërorin e 3x3, dhe kualifikimin në Lojërat Olimpike Los Anxhelos 2028.
KOK-u dhe FBK tashmë veçse e kanë krijuar një grup punues për zhvillimin e 3x3 në Kosovë, ndërsa janë në pritje të mbështetjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që ky sport shumë atraktiv të zhvillohet sa më shumë në vendin tonë dhe të jetë i suksesshëm në garat ndërkombëtare.