Në vitin 2024, bizneset e Kosovës janë përballur me sfida të shumta, përfshirë ligje dhe politika që kanë ndikuar negativisht te kompanitë. Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës (DHTIK), Qeveria e Kosovës nuk ka marrë parasysh këto kërkesa për mbështetje të bizneseve.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se në vitin që lamë pas bizneset janë përballur me vështirësi të shumta dhe ka kërkuar që Qeveria e ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të ketë ekonominë dhe zhvillimin ekonomik në prioritet.
Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi ka apeluar që shteti të përqendrohet në mbrojtjen e punëtorëve dhe të përmirësojë legjislacionin, përfshirë Ligjin e Punës. Po ashtu, ai foli edhe për liberalizimin e vizave dhe ndikimet e saj në ekonomi.
“Edhe viti 2024 ishte një vit i ngarkuar me shumë sfida të bizneseve, siç kanë qenë edhe vitet tjera dhe përkundër përpjekjeve tona që t’i bëjmë më shumë ndryshime në krahasim me nevojën që janë rrit nga COVID dhe tutje, sërish sfidat kanë qenë shumë të mëdha dhe vlerësojmë që mundësitë që Qeveria e Kosovës t’i ndihmojë më shumë bizneset kanë qenë shumë më të mëdha. Ne kemi pas bashkëpunim me qeverinë, gjatë gjithë kësaj kohe dhe kërkesat tona në kontinuitet i kemi dërguar në të gjitha institucionet qoftë nivelit qendror apo lokal, në mënyrë që të përmirësohet dhe të rriten kushtet e të bërit biznes, të rritet prodhimi vendor, eksporti dhe të kemi një rritje shumë më të madhe ekonomë që ka nevojë Kosova”, thotë Krasniqi."Kemi kërkuar që mbrojtja e punëtorit të jetë prioritet i shtetit, dhe kjo bëhet me ligjin e punës. Punëtori duhet të mbrohet me ligj, duhet të mbrohet në qoftë se mbetet i pa punë, në qoftë se ka probleme shëndetësore dhe gjitha këto janë detyrime të shtetit, nuk janë të biznesit. Detyrim i biznesit është të sigurojë vende të punës dhe kushte të mira, ndërsa detyrime tjera që çdo vend i Evropës ka e që shteti ja garanton, nuk i ka qytetari jonë. Gjitha ato që janë përgjegjësi të shtetit, nuk duan t'i diskutojnë, por vetëm për ato të biznesit...Shpresojmë dhe urojmë që qeveria e ardhshme ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik, qytetarin, mirëqenien e vendit tonë. Në plan primar të jetë mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, jo politikat e jashtme ose deklaratat politike, por veprimet ekonomike që i duhen vendit tonë dhe i kanë munguar e vazhdojnë t'i mungojnë në përputhje me nevojën që ka", thekson ai.
Derisa shprehet i shqetësuar lidhur me disa ligje të cilat e kanë dëmtuar biznesin, nënvizon se Ligji mbi pronat ka shkaktuar probleme tek dhjetëra biznese, për çka sipas tij disa prej tyre kanë falimentuar e disa të tjera janë në prag të falimentimit. Ndërsa, kërkon nga shteti që të koordinohet më shumë më biznese para se të marrë vendime që i prekin kompanitë.
“Fatkeqësisht çdoherë rritja e importit po jetë së paku 200 apo 300 për qind më shumë se sa rritja e eksportit. Dhe tash importi ka kaluar mbi 6 miliardë dhe eksporti (vlera e eksportit) ende nuk ka marrë shifrën e 1 miliard euro. Për t'i tejkaluar këto sfida ne e kemi këshilluar Qeverinë e Kosovës me shumë vendime dhe veprime që do duhej t'i merr qeveria. Të përkrahet eksporti me 10 për qind, të përkrahet prodhimi vendor në markete me 10 për qind, të hiqet detyrimi që TVSh-ja të paguhet në doganë, të përkrahet biznesi në bazë të sektorëve qoftë me përkrahje financiare që nuk po ndodhë, qoftë me përkrahje të punëtorëve që ka ndodhur por që ka pas vonesa shumë të ekzekutimit të kësaj pjesës për gjashtë muaj që janë përkrahur punëtorët. Nnuk janë ekzekutuar me kohë dhe sërish ju ka shkaktuar bizneseve probleme, ligji i punës, ligji i sigurimeve shëndetësore, e më radhë...Të gjitha këto do të sjellin rritje ekonomike dyshifrore, sepse ende Kosova nuk ka rritje dyshifrore, dhe çdo rritje që është njëshifrore nuk është rritje, është vazhdim i gjendjes së njëjtë”, thotë ai.
“Ky ka qenë një nga vitet më të rënda tona për shkak se kemi pas lëvizje shumë të madhe të punëtorëve dhe një pjesë e mirë e stafit të kualifikuar tonë janë larguar jashtë vendit, kanë migruar dhe ne jemi përballë jashtëzakonisht me shumë sfida dhe si rezultat i saj është rrit kosto e prodhimit, si rezultat i rritjes së pagave dhe nuk kemi pas rritje të ekonomisë, ose të biznesit mjaftueshëm aq sa janë rrit shpenzimet për rritjen e stafit dhe shpenzimet tjera si rezultat i rritjeve të çmimeve të përgjithshme gloable”, përfundon Krasniqi.
Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 kanë mundur të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen./E. Krasniqi