Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vazhduar të përdorë gjuhën e tij nacionaliste në prag të zgjedhjeve në Serbi. Ai është fokusuar sërish tek Kosova, për të cilën pretendon se është pjesë e Serbisë.
Në një intervistë për gazetën Politika, Vuciq tha se gjoja sipas tij vitin e ardhshëm perëndimi “do të përpiqet t’ia marrë Serbisë Kosovën”, transmeton KosovaPress.
Ai sërish ka pretenduar se ballafaqohet me presion të jashtëm, duke synuar që të mbajë sa më afër shumicën në Serbi.
“Për Serbinë do të jetë me rëndësi të madhe ruajtja e paqes dhe stabilitetit në nivelin e brendshëm për të vazhduar me progresin e mëtejshëm ekonomik, investimet, projektet e mëdha infrastrukturore, punësimin, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe për të pasur forcë të mjaftueshme për t'i rezistuar të presioneve jashtme. Parakusht për këtë është një shumicë e qëndrueshme dhe një qeveri që do të bashkëpunojë me presidentin”, ka thënë ai.
“E informova mbarë opinionin vendor dhe ndërkombëtar me atë që nuk vjen në konsideratë, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës, në asnjë mënyrë, as anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe organizatat e saj. Meqë nuk thonë se këtë e përjashtojnë, por e duan të gjithë marrëveshjen, atëherë për ne është e papranueshme. Do ta vënë apo jo, nuk mund të hamend në këtë moment”, tha Vuçiq.