Gjuhë polarizuese, akuza, sharje...deri në rrahje. Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës u karakterizua me gjuhë jo parlamentare, mungesë kuorumi për vendimmarje dhe parregullsi procedurale për miratimin e ligjeve, vlerësojnë monitoruesit.
Mungesa e bashkëpunimit pozitë-opozitë për arritjen e konsensusit për tema nacionale si dhe për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare po konsiderohet se e ka dëmtuar punën e Kuvendit për katër vjet mandat.
Pozita dhe opozita ia hedhin fajin njëra-tjetrës për gjuhën e ashpër në Kuvend.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, akuzojnë opozitën se gjatë katër viteve mandat kanë përdorur “kauza fiktive për të dëmtuar mazhorancën”. Sipas tyre, kjo legjislaturë është “më e suksesshmja në histori të Kuvendit me mbi 300 ligje të miratuara”.Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se legjislatura e tetë është ndër më të dobëtat në histori të Kosovës.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se Kuvendi ka dështuar sa i përket kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, transparencës dhe mbikëqyrjes parlamentare.
Jakaj thotë se pavarësisht se kjo legjislaturë, në bazë të numrit, ka miratuar ligje më shumë, një gjë e tillë nuk do të thotë se përmbajtja e tyre ka qenë më e mira.
“Kuvendi ka performuar në mënyrë të dobët gjatë katër viteve. Rrjedhimisht mund të konsiderohet se legjislatura e tetë është ndër më të dobëtat të Kuvendit të Kosovës, për disa arsye. E para sa i përket kushtetutshmërisë, ligjshmërisë, transparencës, mbikëqyrjes parlamentare, injorimit të Kuvendit nga ana e qeverisë dhe funksionit zgjedhor. Në anën tjetër, ajo çka e ka karakterizuar punën gjatë këtij sesioni është gjuha joparlamentare, përleshjet fizike që kanë ndodhur në vitin 2023, ndërkohë edhe mosefikasiteti në miratimin e agjendës legjislative. Në momentin kur ka pasur efikasitet, ka pasur edhe parregullsi siç është seanca e fundit kur në procedurë të super shpejtuar janë miratuar ligje...Sasia nuk do të thotë gjithmonë edhe cilësi. Kjo është vërtetuar edhe prej opinioneve të Komisionit të Venecais për reformën në drejtësi, opinionet e IKD-së për reformën në drejtësi dhe disa ligje për administratën publike. Për këto edhe Gjykata Kushtetuese i ka konfirmuar duke i rrëzuar disa ligje tërësisht dhe disa pjesërisht”, thekson ai.
Kritika ndaj pushtetit në Kuvend adreson edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj. Ai thotë për KosovaPress se Kuvendi ka pësuar regres për katër vjet të qeverisë Kurti.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se mazhoranca e legjislaturës së tetë të Kuvendit ka funksionuar me arrogancë të numrave dhe arbitraritet.
Sipas tij, shumica parlamentare e udhëhequr nga LVV-ja e ka “dështimin më të madh në histori të Kuvendit”.
Ai thotë se mazhoranca ka miratuar mbi 300 ligje, megjithatë shton se Kuvendi ka mundur të jetë “edhe më shumë produktiv”.
Përkundër kësaj, ai kritikon edhe Gjykatën Kushtetuese që sipas tij, me vonesat e saj për shqyrtim të ligjeve, i ka humbur shumë kohë partisë në pushtet për realizimin e reformave.
Konstituimi i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës është bërë më 22 mars të vitit 2021.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...