E vetmja mënyrë që mos të ketë zgjedhje të tjera këtë vit është që LVV-ja t’i fitojë mbi 50 për qind, thotë ish deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi.
Ai në një intervistë për KosovaPress vlerëson se zgjedhjet aktuale nuk garantojnë zgjidhje për krizën politike, duke i cilësuar si të ndërlikuara dhe të ndikuara nga dështimi i mëparshëm institucional për zgjedhjen e presidentit.
Duke folur për funksionimin e institucioneve pas zgjedhjeve, Rrustemi është shprehur se Kuvendi duhet të kalojë menjëherë në zgjedhjen e presidentit pas konstituimit, në përputhje me interpretimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sipas tij, procesi nuk lë hapësirë për formim të qeverisë para kësaj faze.
Ai ka akuzuar opozitën se po synon dobësimin e Vetëvendosjes dhe krijimin e bllokadave të reja institucionale, duke pretenduar se çdo ulje e mbështetjes për LVV-në do të aktivizonte një fazë të re të krizës politike.Rrustemi gjithashtu deklaron se një nga synimet e opozitës është ulja e Vetëvendosjes nën 40 deputetë, çka sipas tij do t’u hapte rrugë konfigurimeve të reja politike, përfshirë zgjedhjen e presidentit në bashkëpunime të tjera parlamentare.