Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve, Beshir Hamza dhe I.H., të dyshuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mosdhënia e ndihmës”.
B.H. dyshohet se më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, ka privuar nga jeta imamin Gazmend Tahirovci pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me shfrytëzimin e një prone.
Ndërkohë, I.H., babai i të dyshuarit kryesor, dyshohet se nuk i ka ofruar ndihmë viktimës, ndonëse ka qenë pranë vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi ta bënte këtë pa rrezikuar veten apo të tjerët.
“I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, transmeton KosovaPress.Gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
“Duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale të dyshohet se janë kryer, mënyrën dhe rrethanat ashtu që i dyshuari B.H., në mënyrë mizore apo dinake dyshohet të ketë goditur me thikë në shpinë dhe qafë viktimën ndjerin G.T., po ashtu duke shtuar faktin se i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është gjetur dhe arrestuar nga Policia, për Gjykatën rezulton se me lënien në liri ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, andaj masa e paraburgimit në këtë fazë është e domosdoshme”, thuhet në njoftim.