Bashkimi Evropian ka vlerësuar se Kosovës i nevojiten institucione plotësisht funksionale për të përshpejtuar procesin e reformave dhe avancimin në rrugën drejt integrimit evropian.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Takimit të shtatë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, i mbajtur në Prishtinë, të martën, ku u shqyrtuan zhvillimet politike, ekonomike dhe zbatimi i obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Sipas komunikatës së përbashkët, e cila u lëshua një ditë pas mbajtjes së takimit, thuhet se BE-ja njohu përparimin e Kosovës në disa fusha, por theksoi se institucionet funksionale janë thelbësore për përshpejtimin e reformave.
“BE-ja theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës mbetet përpjekje e tërë shoqërisë, e mbështetur nga një konsensus i gjerë dhe i qëndrueshëm publik. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i shtuar ndërmjet partive politike, konsultimi kuptimplotë me shoqërinë civile dhe angazhimi me pushtetin lokal mbeten faktorë të rëndësishëm për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës”, thuhet në të, transmeton KosovaPress.“Duke njohur përparimet e arritura së fundmi në demokraci dhe sundimin e ligjit, BE-ja theksoi nevojën për të përshpejtuar dhe prioritizuar reformat që janë në pritje, veçanërisht në administratën publike, lirinë e shprehjes, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të të drejtave të personave që u përkasin komuniteteve joshumicë”, thuhet në kumtesën e përbashkët të BE-së dhe qeverisë së Kosovës.
Kjo e fundit, ka theksuar përparimin e arritur dhe rikonfirmoi angazhimin për zbatimin e reformave, përmbushjen e obligimeve nga MSA-ja dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, “për të përshpejtuar zhvillimin socio-ekonomik dhe përparimin në rrugën evropiane”.