Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit është thelbësore dhe se zotimi do të thotë realizim me kohë.
Von der Leyen në konferencë të përbashkët me presidenten, Vjosa Osmani, tha se hapat që ka ndërmarrë Kosovë me nënshkrimin e marrëveshjes në kuadër të Procesin e Berlinit, progresi në CEFTA, lejimi i mallrave serbe dhe skanerët me rrezen X që do të përdorën për t’i skanuar mallrat para se të hynë në tregun e vendit tonë, janë hapa konkret drejt Bashkimit Evropian dhe normalizimit.
Ajo ka mirëpritur marrëveshjen që u miratua para dy javësh në Procesin e Berlinit dhe lejimin e mallrave serbe në Kosovë.
“Dua t’iu siguroj juve dhe popullin e Kosovës se në mandatin tim të dytë, zgjerimi do të jetë në krye të agjendës dhe për mua është shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye do të punojmë që të vazhdojmë tutje sepse jam e përkushtuar për një të ardhme ku të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në union. Tani i kemi të gjitha mjetet dhe instrumentet që ta bëjmë këtë realitet dhe dua të theksoj planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor që është i planifikuar që t’i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe të integrohen në tregun tonë të përbashkët...tashmë i kemi hapur sektorët e tregut të përbashkët për partnerët e Ballkanin Perëndimor në mënyrë që p. sh kompanitë nga Kosova mund të kenë qasje në tregun e përbashkët, për këtë na nevojiten reforma të cilat do të shoqërohen me investime shtesë evropiane. Kanë kaluar një vit që kur kemi filluar këto diskutime dhe shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor i kanë agjendat e tyre të gatshme, njëjtë si Kosova dhe dua të them se Kosova e ka bërë një punë të shkëlqyeshme me këtë agjendë dhe iu përgëzoj për këtë agjendë. Tani mund të fillojmë me parafinancimin e më shumë se 60 milionë euro që mund të lirohen para fillim vitit”, tha ajo, duke shtuar se 882 milionë euro janë në dispozicion si pjesë e këtij plani për Kosovën dhe mbetet që të bëhet hapi i duhur.Von der Leyen është pyetur edhe për heqjen e masave ndaj Kosovës dheanulimin e takimit të planifikuar më parë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pas njoftimit për takimin e këtij të fundit me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në të cilin thuhet se ishte planifikuar të forcohej bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe politikave të tjera ndërmjet dy vendeve.
"Për mua ishte një mesazh i qartë që presidenti i Republikës së Serbisë ishte në mikpritje për mua dhe para kësaj kryeministrin e Polonisë dhe atë të Greqisë, në vend se të ishin në Kazan atje. Pra, një mesazh shumë i qartë u përqua dhe kjo është një gjë shumë e mirë... Është shumë e rëndësishme që të punojmë së bashku dhe siç e thashë e kemi mirëpritur hapin e kufirit por edhe progresin e anëtarësimit në CEFTA apo përfaqësimin e Kosovës në CEFTA. Pas kësaj mendoj se duhet të punojmë në hapa të mëtejmë në mënyrë që të arrijmë tek një pikë ku mund ta arrijmë ngritjen e masave. Edhe kjo do të ndihmojë që të binden shtetet anëtare, sepse siç e dini edhe shtetet anëtare duhet të japin pëlqimin e tyre për çdo hap. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe mund të llogaritni në mua sa i përket kësaj", tha Von der Leyen.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur Serbinë si satelitin më të fortë të Rusisë në Evropë, për të cilën Bashkimi Evropian duhet të tregojë vendosmëri.
Osmani tha se vizita e Von der Leyen në vendin tonë është vetëm pak ditë pas miratimit të agjendës së reformave për Kosovën.
“Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv për vendin tonë. Këta hapa konfirmojnë përkushtimin e BE-së për ta ofruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt integrimit në BE e po ashtu do të shërbejnë si një motiv shtesë për të punuar më shumë për të ardhmen tonë të përbashkët në familjen e Bashkimit Evropian. Padyshim që rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë por ia ka vlejtur, prandaj ne mezi presim që të zbatojmë reformat e këtij plani dhe të përfitojmë sa më shumë nga kjo mundësi në muajt dhe vitet në vijim. Agjenda e reformave për Kosovën është fokusuar në pesë fusha prioritare, ekonomi, siguri energjetike, tërheqje të investimeve të huaja dhe fusha tjera, dhe parashihet që deri në fund të vitit 2027, Kosova të përfitojë deri në 882 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pas zbatimit të të gjithë hapave të reformës që janë parashikuar në agjendën e reformave, respektivisht Kosova do të jetë përfituese më e madhe nga kjo paketë për kokë banori”, tha Osmani duke theksuar se Kosova shquhet për përafrimin e politikave të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes me politikat e BE-së.
“Është koha e fundit që vendosmërinë që BE ka treguar në raport Rusinë të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo në veçanti është me rëndësi sa i përket Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer nëpërmjet forcave paramilitare, terroristë në shtator të vitit të kaluar gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur për qëllim të destabilizoj, jo vetëm Kosovë por të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ajo, derisa shtoi se Kosova në anën tjetër po dëshmon qasje konstruktive dhe po vepron në frymën e fqinjësisë së mirë, duke avancuar në sundim të ligjit dhe duke mbajtur sistemin më të avancuar kushtetues në të gjithë kontinentin evropian sa i përket pakicave.
“Andaj sot kemi nevojë që Bashkimi Evropian t’i vlerësoj dhe t’i njoh këto arritje. Rrjedhimisht është edhe koha e fundit që edhe masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç që të padrejta, këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës pa dallim dhe kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogun duke e bërë atë të pabalancuar, të pabarabartë dhe të pakredibilitet”, tha presidentja Vjosa Osmani.
Von der Leyen po qëndron për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.
Ndryshe, të premten e kaluar, BE miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliard eurosh.
Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat.