Vetëvendosje shpall garën për kandidatë për kryeministër, a do të ketë kundërkandidat Kurti?
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje të mërkurën ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.
Në njoftimin e Vetëvendosjes, thuhet se anëtarët që janë të interesuar për të kandiduar duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 4 dhjetor 2024 deri më 8 dhjetor 2024.
“Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për Kryeministër për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje, përkitazi me kriteret e përcaktuara statutore, duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 4.12.2024 deri me datë 8.12.2024 pranë KZP (Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm)”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Ndërsa, deri më 8 dhjetor pritet të dihet se kush do të jetë kundërkandidat i Albin Kurtit për kryeministër.
Zgjedhjet parlamentare në vend mbahen më 9 shkurt 2025.