Vikendi sjell spektaklin e basketbollit FIBA 3x3 në Prishtinë, Dushku zbulon detajet
Sport
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Vikendi sjell spektaklin e basketbollit FIBA 3x3 në Prishtinë, Dushku zbulon detajet
elvira-dushku-110626
11/06/2026 - 11:38
Linku u kopjua

Federata e Basketbollit e Kosovës po bën përgatitjet e fundit për organizimin e turneut ndërkombëtar FIBA 3x3 Europe Qualifiers, i cili do të mbahet më 13 dhe 14 qershor në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Ky është viti i tretë radhazi që FBK-ja e sjell këtë ngjarje të rëndësishme në Kosovë, duke konfirmuar besimin që FIBA vazhdon t’i japë federatës kosovare për organizimin e garave ndërkombëtare në basketbollin 3x3.

https://www.youtube.com/watch?v=-uqHn_oaX7A

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku, tha për KosovaPress se të gjitha përgatitjet janë duke u zhvilluar sipas planit për një tjetër organizim të suksesshëm.

“Për Federatën e Basketbollit ky është viti i tretë radhazi që e organizon FIBA 3x3 Europe kualifikimet për të shkuar tutje tutje. Këtë vit do të marrin pjesë shtatë shtete në konkurrencën e meshkujve dhe pesë shtete në konkurrencën e femrave. Ekipet do të fillojnë të vijnë së shpejti, po ashtu edhe zyrtarët e FIBA-s. Ne kemi filluar tashmë të zhvendosemi në amfiteatrin e sheshit "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, në mënyrë që më 13 dhe 14, pra të shtunën e të dielën, të jemi të gatshëm për këtë organizim ndërkombëtar, por njëkohësisht edhe t’i presim të gjithë qytetarët e Prishtinës por edhe ata jashtë Prishtinës që ta përkrahin këtë event, por njëkohësisht edhe Kosovën edhe eventin në tërësi”, tha fillimisht Dushku.

Ajo tutje zbuloi edhe ekipet pjesëmarrëse dhe strategjinë afatgjatë të FBK-së për zhvillimin e basketbollit 3x3, me synim që Kosova të jetë konkurruese në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Shtetet. Kosova është, është Irlanda, Azerbajxhani, Malta, Qipro, Shqipëria dhe San Marino janë në konkurrencën e meshkujve, ndërsa te femrat janë Kosova, Azerbajxhani, Qipro, Irlanda dhe Malta. E dimë që në të dyja konkurrencat Azerbajxhani synon të sigurojë fitore edhe të shkojë më tutje në fazën tjetër, ndërsa ne këtë vit i kemi ripërtërirë ekipet në të dyja konkurrencat dhe jemi duke menduar në mënyrë më strategjike për basketbollin 3x3, duke pasur parasysh që në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” do të jetë një prej sporteve më kryesore. Kështu që kemi filluar ta ripërtërijmë ekipin derisa të gjejmë modulin më të mirë të mundshëm për pë krijuar një ekip, dhe më pas do të investojmë katër vitet e ardhshme që ajo ekip të paraqitet edhe të synojë njërën prej medaljeve në “Prishtina 2030”, tha tutje Dushku.

Dushku theksoi se synimi i federatës mbetet avancimi i vazhdueshëm i përfaqësueseve dhe identifikimi i kuadrove më të përshtatshme për këtë disiplinë të basketbollit.

“Normalisht qëllimi është që çdo vit të synojmë për të shënuar sukses, sepse ashtu edhe motivohen edhe lojtarët e lojtaret. E shohin 3x3 sepse ka lojtarë të 5x5 që hezitojnë të luajnë në basketbollin 3x3. Po ka shumë lojtarë që dëshirojnë më shumë të luajnë në 3x3 se basketboll 5x5. Kështu që andej jemi në atë fazën eksperimentale, po besoj që gjatë këtij viti veç do të arrijmë të identifikojmë si trajnerët ashtu edhe lojtarët, dhe lojtaret që do ta kemi fokusin”, bëri të ditur Dushku.

Ajo njoftoi gjithashtu se organizatorët janë detyruar të përshtatin orarin e ndeshjeve për shkak të përplasjes me ndeshjet e Kampionatit Botëror të futbollit 2026 të cilado të transmetohen pikërisht në sheshin “Zahir Pajaziti” në një ekran gjigant.

“Organizimi ka qenë në ora katër dhe në ora gjashtë, tashmë jemi dashur ta ndryshojmë orarin për shkak të ndeshjeve të futbollit, kështu që do të fillojmë më herët, me siguri në fillim të ditës për shkak të nxehtësisë nuk do të jenë, por pasdite do të kemi rastin që t'i kemi shikuesit aty”, u shpreh në fund Dushku.

Organizimi i FIBA 3x3 Europe Qualifiers për të tretin vit radhazi përbën një tjetër dëshmi të kapaciteteve organizative të Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe të besimit që institucionet ndërkombëtare të basketbollit kanë ndaj saj. Përveç rëndësisë sportive, ky aktivitet shërben edhe si një mundësi e mirë për promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa njëkohësisht konsiderohet pjesë e përgatitjeve afatgjata drejt objektivave që vendi synon t’i arrijë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026