Veterani i luftës së UÇK-së, Agim Pllashniku, ka protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku edhe ka venduar fotografi të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë protestës, Pllashniku kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke thënë se ai duhet të kërkojë falje atyre, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve.
“Me u thanë zullumqarë këtyre, Albin Kurti nuk ka kurrfarë arsyeje, se ne jemi çlirimtarë. Ata që e sulmojnë shtetin janë terroristë. Edhe Vetëvendosja është organizatë terroriste, se e ka sulmuar shtetin e Kosovës, të cilin këta e kanë çliruar. Këta po e mbrojnë edhe në Hagë pavarësinë e Kosovës, po e mbrojnë krejt Kosovën, krejt popullin shqiptar dhe trojet shqiptare. Kështu që kjo është hera e fundit që i bëj mesazh, dhe le ta dijë mirë Albin Kurti: nuk guxon më me e ofenduar asnjë çlirimtar. Hiç, hiç s’guxon Albin Kurti, e as njerëzit e tij nuk guxojnë as me sha, as me fyer çlirimtarin. Nëse ka diçka, fakte për ndonjë çlirimtar, qysh këtu është shteti ynë, këtu janë Prokuroria, Gjykata dhe Policia, le t’i dërgojnë atje, e jo me ofendu çlirimtarin. Aq ma keq tash kur këta janë në Hagë. Merret Albin Kurti edhe me këta, se kur Rexhep Selimin e quan zullumqar, atëherë më ka quajtur edhe mua, edhe krejt anëtarët e familjes sime veterane”, tha ai.
Duke folur për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se ata po mbahen padrejtësisht, derisa shtoi se Kurti duhet ta dijë që ata janë çlirimtarë e jo zullumqare.