Vatikani shkishëron grupin që shuguroi peshkopë pa lejen e Papës
Bota
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Vatikani shkishëron grupin që shuguroi peshkopë pa lejen e Papës
papa
02/07/2026 - 20:13
Linku u kopjua

Vatikani njoftoi të enjten se ka shkishëruar anëtarët e një grupi ultrakonservator katolik, pasi ata shuguruan katër peshkopë pa autorizimin e Papës.

Këtë veprim, Selia e Shenjtë e cilësoi si "akt skizmatik" (Veprim përçarës ndaj Kishës).

Vendimi u bë publik përmes një dekreti të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, ku thuhet se personat e përfshirë në shugurime kanë pësuar shkishërim automatik sipas së drejtës kanonike.

Kjo masë prek Vëllazërinë Meshtarake të Shën Piut X (Priestly Fraternity of Saint Pius X), e cila të mërkurën shuguroi katër peshkopë në Zvicër pa mandat papnor.

Sipas Vatikanit, ky veprim, pa miratimin e kreut të Vatikanit përbën një shkelje të rëndë të ligjit të Kishës dhe sjell automatikisht shkishërimin, dënimin më të rëndë që përjashton personat nga sakramentet dhe jeta kishtare.

Katër peshkopët e shuguruar janë Pascal Schreiber, Michael Goldade, Michel Poinsinet de Sivry dhe Marc Hanappier.

Vatikani bwri me dije se si peshkopët, ashtu edhe ata që kryen shugurimin, konsiderohen të shkishëruar dhe se ky veprim përbën refuzim të autoritetit të Papës, raporton AA, transmeton KosovaPress.

Grupi, me seli në Zvicër, u themelua në vitin 1970 nga kryepeshkopi francez Marcel Lefebvre, në kundërshtim me reformat e Koncilit të Dytë të Vatikanit. Ai u nda zyrtarisht nga Kisha Katolike në vitin 1988, kur Lefebvre shuguroi katër peshkopë pa miratimin e Papës.

Edhe pse Papa Benedikti XVI hoqi shkishërimin e peshkopëve në vitin 2009 dhe Papa Françesku u dha më vonë priftërinjve të grupit kompetenca të kufizuara për kremtimin e martesave, përpjekjet për pajtim të plotë me Vatikanin nuk patën sukses.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026