UP-ja shënoi 250-vjet të pavarësisë së SHBA-së, Bell: Dy vendet tona e dinë ç’do të thotë të luftosh për liri
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
UP-ja shënoi 250-vjet të pavarësisë së SHBA-së, Bell: Dy vendet tona e dinë ç’do të thotë të luftosh për liri
up foto321
10/07/2026 - 19:04
Linku u kopjua

Universiteti i Prishtinës ka hapur këtë të premte edicionin 2026 të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës (Prishtina International Summer University), i cili këtë vit i kushtohet 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me temën “250 vjet si një fener i demokracisë për botën”.

 Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, diplomatë, akademikë dhe ish-përfitues të programeve të shkëmbimit, u panë në aktivitetin që nisi me intonimin e himnit të Republikës së Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij rektori i UP-së, Arben Hajrullahu tha se 250-vjetori i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më shumë se një përvjetor shtetëror, duke e cilësuar atë si një moment reflektimi mbi idetë që kanë formësuar shoqëritë demokratike dhe kanë frymëzuar breza të tërë në mbarë botën.

“Ky përvjetor është shumë më tepër sesa kremtimi i lindjes së një shteti. Ai është një rast për të reflektuar mbi idetë që kanë formësuar shoqëritë demokratike dhe që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë në përpjekjet e tyre për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Dyqind e pesëdhjetë vjet më parë, Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndryshoi jo vetëm rrjedhën e historisë së një kombi, por edhe mënyrën se si bota e kuptonte lirinë, përfaqësimin dhe marrëdhënien ndërmjet qytetarëve dhe atyre që i qeverisin. E udhëhequr nga idealet e qëndrueshme të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë, Shtetet e Bashkuara nisën një rrugëtim të mbështetur në bindjen e thellë se çdo njeri gëzon dinjitet të lindur, se liria është një e drejtë themelore dhe se pushteti legjitim i qeverisjes buron nga vetë populli”, u shpreh Hajrullahu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se historia e demokracisë moderne amerikane ofron mësime të rëndësishme edhe për sfidat e sotme. Ai veçoi “Epokën Progresive” si një periudhë vendimtare, kur demokracia u përball me fuqizimin e korporatave të mëdha dhe rritjen e pabarazisë ekonomike.

“Për mua si socialdemokrat, megjithatë, kapitulli i historisë së SHBA-së dhe i mendimit politik amerikan që ka zgjuar gjithmonë interesin më të madh është e ashtuquajtura ‘Epoka Progresive’, nga vitet 1800 deri në vitet 1920, kur eksperimenti i çmuar amerikan në vetëqeverisje u desh të përballej me ngritjen e korporatave të mëdha me përgjegjësi të kufizuar (LLC) dhe, krahas kësaj, me hendekun gjithnjë e më të gjerë midis të pasurve të mëdhenj dhe të tjerëve. A mund të mbijetojë ideali demokratik përballë tendencave të tilla? Në këndvështrimin tim modest, një nga mendimtarët më të rëndësishëm amerikanë që u mor me problemet demokratike të kësaj epoke është John Deëey, i cili nga shumë komentues quhet ‘hegeliani i majtë amerikan’ një cilësim me të cilin unë pajtohem”, tha Kurti.

Kurse, Wylita Bell nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë , tha se 250-vjetori i SHBA-së është një moment për të reflektuar mbi vlerat e lirisë, vetëqeverisjes dhe arsimit, duke theksuar se historia e Kosovës në shumë aspekte pasqyron rrugëtimin amerikan drejt pavarësisë dhe demokracisë.

“Historia e Kosovës, e pavarësisë, qëndrueshmërisë dhe shpresës jehon historinë amerikane në shumë mënyra. Të dy vendet tona e dinë se çfarë do të thotë të luftosh për liri, të investosh te të rinjtë tanë dhe të besosh se e nesërmja mund të jetë më e mirë se e sotmja. Këtu në Universitetin e Prishtinës, ju ndani të njëjtin përkushtim për të investuar tek rinia dhe për të ndërtuar një të nesërme më të mirë për Kosovën. Përmes Shkollës suaj Ndërkombëtare Verore, ju keni mbështetur rininë e Kosovës dhe jeni lidhur me vlerën amerikane të arsimit”, tha Bell.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026