Në kuadër të Panairit të Turizmit KIFT 2026 në Prishtinë, është prezantuar një qasje e re bashkëpunimi rajonal në sektorin e turizmit, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë e Veriut, raporton KosovaPress.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, për KosovaPress ka theksuar se kjo marrëveshje synon krijimin e një produkti të përbashkët turistik për tregjet e largëta dhe forcimin e ofertës rajonale.
Ai ka shtuar se tashmë përgjegjësia bie mbi organizatat turistike dhe sektorin privat për ta kthyer këtë marrëveshje në ofertë konkrete në treg.
“Struga p.sh. cilësohet që ka Drinin e Zi dhe liqenin. Ne kemi lumin më të madh në rajon, lumin Buna, i cili lidhet me liqenin e Shkodrës. Atëherë keni zhvillim ekonomik edhe në Shkodër, Podgoricë e Tuz. Nga ana tjetër Tirana e Prishtina janë qendra, ku mblidhet gjithçka. Detyrat e organizatave turistike nuk janë të vështira, pasi kemi çfarë të promovojmë. Kultura jonë e përbashkët është Ulpiana, ne kemi qytetin 2500-vjeçar të Ulqinit ku ishte mbreti Genti, Teuta, kemi Servantesin. Kemi shumë oferta të përbashkëta që duhet të prezantohen në treg”, ka theksuar ai.“Këtë vit, pos aktiviteteve tona, kemi edhe risi si ndërtime infrastrukturore, ngritjen e parkingjeve e parqeve zbavitëse. Oferta jonë nga ana hoteliere dhe e plazheve është për çdo turist, si për ata që mund të paguajnë më shumë, ashtu edhe për ata me më pak mundësi. Gjatë muajit maj do të kemi aktivitete të shumta si me parashutistë, aktivitete kulturore etj”, tha ai.
Ai tha se këtë vit do të ketë koncerte e shfaqje të ndryshme. Sipas Nimanbegut me 30 dhe 31 maj mbahet një koncert të një ylli rajonal, e kjo do të ketë do të ketë interesim nga gjithë rajoni.
Në fund, ai ka ftuar turistët nga Kosova dhe rajoni që të zgjedhin Ulqinin për pushimet e tyre verore, duke theksuar mikpritjen dhe sigurinë si pika kryesore të ofertës.
Kjo marrëveshje shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të përbashkët për promovimin e turizmit, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e ofertave të integruara rajonale.