Me synimin për ta shndërruar rajonin në një destinacion të përbashkët turistik dhe për të rritur fluksin e vizitorëve, përfaqësues të sektorit të turizmit dhe drejtues komunalë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi në Prishtinë, raporton KosovaPress.
Kjo marrëveshje shihet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të përbashkët për promovimin e turizmit, shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e ofertave të integruara rajonale.
“E dimë që turizmi nuk njeh kufij, andaj të gjithë bashkë të bëjmë të mirën e mundshme që të tërheqim sa më shumë vizitorë dhe në këto komuna por edhe në vendet-shtetet tona të kemi një numër sa më të madh të turistëve të cilët do ta frekuentojnë këtë pjesë të Ballkanit. Sidomos tashmë Kosova është në prag të lojërave mesdhetare dhe do të kemi një fluks të shtuar të numrit të vizitorëve dhe shpresoj që të përgatitemi t’u mundësojmë të gjithë-operatorëve që të krijojnë paketa të përbashkëta që vizitorët që vijnë për lojërat mesdhetare pse mos të shkojnë edhe një ditë-dy ditë në Ulqin, në Strugë, në Tiranë, në Durrës e në vendet të tjera. Dhe qëllimi është që të krijojmë bashkëpunime, organizime të përbashkëta dhe t’i japim një vlerë të shtuar të gjitha këtyre potencialeve qofshin kulturore, qofshin historike por qofshin edhe natyrore të cilat ne shqiptarët i kemi.” , tha ai.
Ndërsa, kryetari i Unionit të Turizmit në Shqipëri, Rrahman Kasa, tha se kjo iniciativë synon të shërbejë si bazë për krijimin e një organizate gjithëkombëtare që do të promovojë vlerat e përbashkëta historike dhe turistike, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve lokale në këtë proces.Kryeqyteti ka shënuar rritje të vazhdueshme në turizëm ku sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po investohet në zhvillimin e ofertës kulturore dhe artistike, duke e parë këtë marrëveshje si mundësi për thellimin e bashkëpunimit rajonal, përfshirë edhe digjitalizimin e ofertave turistike dhe organizimin e përbashkët të eventeve.
“Prishtina është duke investuar shumë edhe në bazë të informatave që kemi vit me vit, 30-35%, 40% vitin e kaluar faktikisht kemi pasë rritje në turizëm. Kemi një kalendar të mrekullueshëm të artit, të kulturës, të eventeve të ndryshme e tash edhe do të jemi nikoqirë të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, edhe ky është një moment i mrekullueshëm jo vetëm për Prishtinën, por për të gjithë shqiptarinë. Prandaj Prishtina është shumë afër, është e lidhur mirë me Shqipërinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë e Veriut, pra me të gjitha vendet përreth edhe pse jo mos t’i shkëmbejmë të gjitha mundësitë për një bashkëpunim të mirëfilltë nëpër sfera të ndryshme”, tha ai.
E në fund, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, vuri në pah potencialin turistik të qytetit të tij dhe rëndësinë e lidhjes së destinacioneve në një itinerar të përbashkët rajonal.
Marrëveshja pritet të hapë rrugë për iniciativa konkrete në promovimin e përbashkët të destinacioneve turistike, duke e pozicionuar rajonin si një ofertë unike për vizitorët ndërkombëtarë.
Në Prishtinë po vazhdon edhe sot, dita e dytë e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit – KIFT Kosova 2026, ku është bërë edhe prezantimi i kulturës dhe traditës së Arbëreshëve të Italisë.