Me rastin e 22 marsit, Ditës Botërore të Ujit, KRU Prishtina ka bërë thirrje për ndërgjegjësim më të madh në përdorimin e ujit, duke theksuar rëndësinë e tij si burim jetik për jetën, shëndetin dhe zhvillimin e shoqërisë.
Në këtë ditë, theksohet se uji është një pasuri që duhet ruajtur me kujdes dhe përdorur me përgjegjësi nga të gjithë qytetarët. KRU Prishtina apelon për kursim të ujit në përditshmëri dhe për edukimin e komunitetit mbi rëndësinë e mbrojtjes së këtij burimi jetik.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, situata globale mbetet shqetësuese; rreth 2.2 miliardë njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm të sigurt, rreth 3.5 miliardë njerëz nuk kanë sanitacion të sigurt, 1 në 4 familje nuk ka ujë brenda shtëpisë, gratë dhe vajzat kalojnë rreth 250 milionë orë çdo ditë duke siguruar ujë për familjet e tyre
Në Kosovë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, mbi 99% e mostrave të ujit të testuara janë brenda standardeve të sigurisë, por sfidat mbeten në zonat rurale dhe vendbanimet pa furnizim të centralizuar.