U inspektuan 29 biznese auto-parkingjesh, vetëm te dy nuk u gjetën parregullësi
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
U inspektuan 29 biznese auto-parkingjesh, vetëm te dy nuk u gjetën parregullësi
parkingu-3-121122
24/07/2026 - 16:41
Linku u kopjua

27 nga 29 bizneset e kontrolluara në kuadër të një aksioni në 34 auto-parkingje në rajonin e Mitrovicës kanë rezultuar me një ose më shumë parregullësi. Kontrollet janë zhvilluar nga Policia në bashkëpunim me Administratën Tatimores (ATK), Inspektoratin Qendror të Punës (IQP) dhe Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT).

Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur për KosovaPress se gjatë inspektimit vetëm dy prej tyre këtyre bizneseve kanë qenë në përputhje me legjislacionin tatimor.

Sipas zëdhënëses për Komunikim dhe Media në ATK, Valentina Bytyqi-Sefa, shkeljet më të shpeshta të evidentuara kanë qenë “moslëshimi i kuponëve fiskalë në tetë raste, mungesa e arkës fiskale në shtatë raste, tetë biznese të paregjistruara, gjashtë raste me punëtorë të paregjistruar, si dhe katër raste të mosmbajtjes së librave dhe regjistrimeve”.

"Për rastet e identifikuara janë iniciuar procedurat për rekomandim në Zyrën për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative (ZGjONA), ndërsa për bizneset e paregjistruara është lënë afati ligjor prej tetë ditësh për regjistrim nga inspektorët e MINT-it. Paralelisht, është duke u zhvilluar analizë e historikut të secilit biznes për gjashtë vitet e fundit, me qëllim identifikimin e shkeljeve të tjera të mundshme dhe ndërmarrjen e masave sipas legjislacionit në fuqi", tha Bytyqi-Sefa

Lidhur me aksionin, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Nga ky institucion kanë bërë të ditur se në kuadër të kontrolleve në auto-parkingje janë duke ofruar asistencë për Policinë, e cila është organizatore e këtij aksioni.

Policia kishte njoftuar se më 22 korrik, në kuadër të një aksioni për luftimin e shmangies nga tatimi, njësitë policore,në bashkëpunim me instittucionet tjera kanë kryer kontrolle në 34 auto-parkingje në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut, Vushtrri dhe Skenderaj. Sipas Policisë, gjatë kontrolleve janë identifikuar parregullësi të ndryshme, ndërsa pas këtij aksioni institucionet përkatëse kanë nisur procedurat dhe verifikimet e mëtejshme ndaj bizneseve të përfshira.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026