Në Kosovë është mbajtur për herë të parë Turneu Diplomatik i Padelit, një aktivitet që ka bashkuar përfaqësues të ambasadave, institucioneve vendore dhe komunitetit sportiv. Ky organizim i Federatës të Padelit të Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi, u zhvillua në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.
Turneu u vlerësua si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e diplomacisë sportive dhe në promovimin e padelit si një sport në rritje në vend, raporton KosovaPress.
“Shanset janë shumë të mira për me mund me e apliku sportin edhe për me mund, domethënë, me u jep shans të tjerëve me e shikuar se si po rritet sporti në Prishtinë edhe në Kosovë, edhe me ambasadat e tjera. Për shkak se të gjithë këta e dinë se çka është padel-i dhe se punimi bashkë me ambasadat, domethënë për projekte të ardhshme, është shumë i rëndësishëm për sportin. Ky turne, domethënë, është një hap shumë i mirë dhe i suksesshëm për neve” – tha Besim Shulemaja.
Ndërkohë, Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, vlerësoi nidikimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.Në këtë aktivitet morën pjesë edhe diplomatë të shumtë, të cilët vlerësuan lart organizimin dhe rolin e sportit në afrimin e njerëzve.
Nga ana tjetër, Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, e cilësoi padelin si një sport fantastik dhe shumë social.
“Është një mënyrë fantastike për të bërë bashkë shumë vende dhe shumë miq. Ne shpesh kryqëzohemi në fusha të ndryshme, por të jemi në gjendje të jemi këtu e ta shijojmë këtë moment, të argëtohemi, sepse në fund të fundit, siç tha edhe ambasadori, gjithçka është të argëtohemi dhe të vrapojmë pak. Është një ide fantastike dhe e falënderojmë Ambasadorin e Malit të Zi që e ka organizuar këtë me Federatën. Shpresojmë që çdokush po e shijon këtë dhe në fund, që ekipi më i mirë të fitojë ose jo" - tha Nuno Queiros.
“Ky është një event i mrekullueshëm. Është turneu i parë ku marr pjesë që kur kam ardhur në Kosovë një vit më parë. Siç thonë latinët, "mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë” kjo është ajo që përfiton kur merresh me sport. Sporti është shumë i rëndësishëm dhe jam vërtet i lumtur që i jam bashkuar këtij eventi” – deklaroi Maurizio Antonini.
Përveç këtij turneu, pas dy javësh do të zhvillohet dhe turneu i parë ndërkombëtar i padelit në Kosovë, me mbi 100-150 lojtarë nga 10-15 shtete.