Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata befasuese dhe goxha kritike në raport me Izraelin, duke e fajësuar këtë shtet se “nuk mund të kryejë punë pa vrarë të gjithë të tjerët”.
Ai bëri këto komente gjatë një takimi në margjina të samitit G 7 që po mbahet në Evian-les-Bains të Francës, teksa foli për “rehatimin” e Hezbollahut në Liban.
“I sugjerova Izraelit që ta lërë Sirinë të merret me Hezbollahun, sepse, për të qenë i sinqertë me ju, mendoj se ata do të bënin një punë më të mirë”, tha presidenti amerikan, transmeton AP, përcjellë KosovaPress.
Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, Trump e quajti Hezbollahun një problem të vazhdueshëm, ndërsa theksoi se Izraeli ka kohë që po lufton kundër grupit libanez, duke mos kursyer edhe ata që janë të pafajshëm.Trump vlerësoi gjithashtu presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, duke thënë se ai ka arritur ta stabilizojë vendin në një kohë të shkurtër.
“Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme në bashkimin e vendit. Nuk është ndonjë ‘boy scout’, por ka bërë një punë të mrekullueshme. Ai nuk e pëlqen Hezbollahun dhe është shumë i aftë”, tha Trump.
Siria ka një marrëdhënie të gjatë dhe të ndërlikuar me Libanin. Trupat siriane mbajtën një prani ushtarake në Liban nga viti 1976 deri në vitin 2005. /KosovaPress/