Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se vendet që mbështesin politikat e aleancës BRICS që shkojnë kundër interesave të SHBA-së do të goditen me një tarifë shtesë prej 10%.
Trump e ka kritikuar prej kohësh BRICS-in, një organizatë anëtarët e së cilës përfshijnë Kinën, Rusinë dhe Indinë, e cila është krijuar për të rritur pozicionin ndërkombëtar të vendeve dhe për të sfiduar SHBA-në dhe Evropën Perëndimore, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Një afat për vendet që të bien dakord për një marrëveshje tarifore me SHBA-në ishte caktuar për 9 korrik, por zyrtarët amerikanë tani thonë se ato do të fillojnë më 1 gusht.
Deri më tani, SHBA-të kanë arritur marrëveshje tregtare vetëm me Mbretërinë e Bashkuar dhe Vietnamin. Megjithatë, Britania dhe Amerika ende nuk kanë arritur një marrëveshje mbi taksat për çelikun britanik të importuar nga SHBA-të.
Në prill, në atë që ai e quajti "Dita e Çlirimit", ai njoftoi një valë taksash të reja për mallrat nga vendet e botës, megjithëse shpejt pezulloi planet e tij më agresive për të lejuar tre muaj bisedime deri më 9 korrik.
I pyetur nëse taksat do të ndryshonin më 9 korrik apo 1 gusht, Trump tha të dielën: "Do të jenë tarifa, tarifat do të jenë tarifa."
Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Lutnick, sqaroi se taksat do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Të dielën, Sekretari i Thesarit Scott Bessent i tha CNN: "Presidenti Trump do t'u dërgojë letra disa prej partnerëve tanë tregtarë duke u thënë se nëse nuk i lëvizni gjërat përpara, atëherë më 1 gusht do të ktheheni në nivelin tuaj tarifor të 2 prillit".
Vitin e kaluar, lista e anëtarëve të BRICS u zgjerua përtej Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut për të përfshirë Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vendet në bllok përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë së botës.