Trauma nuk ka afat – pse procesi i njohjes pa kufizim kohor është më i drejtë?
Lajme
Lexohet për: 8 min.
Dëgjoje me zë...
Trauma nuk ka afat – pse procesi i njohjes pa kufizim kohor është më i drejtë?
Trauma
30/03/2026 - 14:58
Linku u kopjua

Kanë kaluar 27 vjet nga lufta, por për shumë gra e burra nga Kosova traumat nuk kanë marrë fund. E fund nuk ka as pritja e tyre që shteti t’ua hap pa kusht dyert për të rrëfyer tmerret që i përjetuan.

Stigma e vazhdueshme në shoqëri, frika nga paragjykimi, mungesa e besimit në institucione dhe trauma e pashëruar...

Këto sfida po i përcjellin edhe sot të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pikërisht për këtë arsye, po konsiderohet shqetësues afatizimi i njohjes së vuajtjeve të kësaj kategorie të luftës.

Procesi i aplikimit për njohjen e statusit si viktimë e dhunës seksuale, përfaqëson një nga arritjet më të rëndësishme institucionale dhe shoqërore në vend. Këtë e thotë edhe Feride Rushiti, e cila udhëheq Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Ajo tërë këto 27 vjet ka qenë në ballë të përpjekjeve për të sjellë zë, mbështetje dhe dinjitet për këtë kategori lufte.

Por, përkundër këtij angazhimi të vazhdueshëm, sfidat mbeten të pranishme.

“Për shumë të mbijetuar, vendimi për të aplikuar nuk është thjesht një procedurë administrative; ai përfaqëson një proces të thellë emocional dhe psikologjik, shpesh i shoqëruar me diskutime të vështira brenda familjes dhe me rrethana unike për secilin prej tyre. Prandaj, vendosja e një afati për aplikim paraqet një barrierë të padrejtë”, thotë ajo.

Vendosja e një afati për aplikim, siç shprehet Rushiti, krijon presion të panevojshëm dhe përjashton ata që nuk janë ende gati të kërkojnë të drejtat e tyre. Nga përvoja gati rreth tre dekadash, ajo thekson se është e qartë që “trauma nuk ka afat, shërimi nuk ndodh sipas kalendarit institucional dhe se guximi për të folur mund të vijë pas shumë vitesh e dekadash”.

Puna e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale ka filluar zyrtarisht më 5 shkurt të vitit 2018.

Prej atëherë deri në mesin e muajit mars kanë aplikuar rreth 2400 persona. Nga ta, statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës u është njohur mbi 1900 aplikuesve. Marrja e statusit u siguron të mbijetuarve një pension prej 276 eurosh në muaj.

Afati për aplikim për njohjen e statusit përfundon më 15 maj të vitit 2027.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti thotë se modelet ndërkombëtare, si ai i Bosnjës dhe Hercegovinës, tregojnë se “një proces pa afat është më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës”. 

Si është i rregulluar ky proces në Bosnjë dhe Hercegovinë?

Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë janë dhunuar seksualisht rreth 50 mijë gra e vajza të reja dhe rreth tre mijë burra e djem të rinj. Këto krime kanë ndodhur në kampe përqendrimi, shtëpi private, fusha, mjete transporti, autobusë dhe shumë vende të tjera ku gratë dhe burrat janë abuzuar.

Që nga atëherë u themelua organizata joqeveritare “Medica Zenica”, si organizata e parë në Bosnjë dhe Hercegovinë e dedikuar ndaj mbështetjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Sabiha Husiq, e cila udhëheq organizatën më të vjetër të grave në Bosnje, thotë se edhe pas më shumë se tre dakadash, vendi prej nga vjen po vazhdon të përballet me pasojat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, ligji nuk vendos një afat të rreptë kohor për të mbijetuarit që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Trauma e dhunës seksuale është shumë komplekse dhe askush nuk mund të parashikojë kur një i mbijetuar do të ndihet mjaftueshëm i fortë për të folur për përvojën e tij dhe për të kërkuar njohje apo drejtësi. Për disa të mbijetuar kjo mund të ndodhë pas disa vitesh, ndërsa për të tjerë mund të duhen dekada”, thotë ajo.

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, sipas legjislacionit në fuqi njihen si viktima civile të luftës. Kjo u mundëson atyre të aplikojnë për status zyrtar dhe të përfitojnë të drejta të caktuara, si mbështetje mujore financiare, qasje në kujdes shëndetësor në disa kantone, ndihmë juridike falas dhe qasje në programe rehabilitimi dhe trajtimi.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, procesi i njohjes përfshin disa institucione. Të mbijetuarit paraqesin një aplikim dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm. Komisioni luan një rol shumë të rëndësishëm në lëshimin e një certifikate që konfirmon nëse një person ka përjetuar dhunë seksuale, dhe kjo certifikatë është një nga dokumentet e detyrueshme për aplikimin për statusin e viktimës civile të luftës”, tregon drejtoresha e organizatës joqeveritare “Medica Zenica”.

Si ndikon afatizimi te vullneti i viktimave për aplikim?

Husiq, e cila tërë këto vjet ka ofruar mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale të vendit të saj, thotë se ligjet duhet të krijojnë kushte dhe mundësi mbështetëse për të mbijetuarit.

“Afati mund të krijojë presion dhe stres shtesë për të mbijetuarit. Ai vendos kontrollin mbi procesin në duart e legjislacionit, në vend që t’u lejojë të mbijetuarve të vendosin vetë kur janë gati të flasin”, thotë ajo.

Përtej procesit të njohjes ligjore nga shteti edhe ndjekja penale duhet të jetë prioritet kyç, thotë eksperti i drejtësisë tranzicionale, Aidan Hehir, i cili është studiues i kësaj fushe, intervenimit humanitar dhe shtet-ndërtimit në Kosovë nga Universiteti Westminster në Angli.

Ai e konsideron thelbësore që të ketë të dhëna të sakta për numrin e personave të cilët janë dhunuar seksualisht gjatë luftës. Kjo sipas tij, ndihmon edhe për të nxjerrë në pah përmasat e abuzimit.

“Ndjekja penale e dhunës seksuale pas konfliktit duhet të jetë një prioritet kyç dhe padyshim përfshihet gjithmonë në kuadrin e drejtësisë tranzicionale. Megjithatë, nëse realisht bëhet prioritet, kjo është kryesisht një çështje politike. Dhuna seksuale gjatë konfliktit nuk ndodh në vakum dhe buron nga një perceptim paraprak i rolit të grave në shoqëri, kryesisht si nëna/shtëpiake/objekt seksual. Pas konfliktit, këto norma patriarkale vazhdojnë të ekzistojnë dhe si rezultat shoqëritë shpesh hezitojnë të përballen me të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke preferuar të fokusohen tek “heroi” mashkull dhe turpi i pranimit që “gratë tona” nuk u mbrojtën nga “burrat tanë”, thotë eksperti i drejtësisë tranzicionale.

Po ashtu, ai nënvizon faktin se trajtimi i dhunës seksuale gjatë luftës nuk duhet të reduktohet vetëm në statistikë.

“Kështu, dhuna seksuale shpesh reduktohet në një statistikë që përdoret nga palët për të diskredituar njëra-tjetrën, në vend që të shërbejë për adresimin e vuajtjeve të përjetuara. Për rrjedhojë, financimi dhe mbështetja terapeutike e nevojshme për dokumentimin e këtyre krimeve, ndjekjen e autorëve dhe shërimin e të mbijetuarve shpesh mungojnë. Kjo ishte padyshim rasti në Kosovë”, shprehet Hehir.

QKRMT dhe organizatat e platformës “Bëhu zëri im,” vazhdimisht kanë avokuar që të mos ketë afat për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës.

Si rezultat i këtij avokimi, në maj 2023, Qeveria e Kosovës e kishte shtyrë afatin për aplikim për njohje të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës në 2+2 vjet. Dhe herën e fundit, në prill të vitit 2025, ky afat është shtyrë për dy vjet të tjera. Megjithatë, QKRMT vazhdon të avokojë për heqjen e afatit kohor, i cili i kufizon të mbijetuarit që të aplikojnë për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre.

“Thirrja jonë për institucionet është e qartë: Trauma nuk ka afat dhe as e drejta në reperacion nuk duhet afatizuar”, thotë Feride Rushiti, teksa shton se duhet të ketë qasje të ndjeshme ndaj traumës.

Tutje, thekson se institucionet duhet të sigurojnë procedura që janë konfidenciale, dinjitoze dhe të përshtatura me nevojat psikologjike të të mbijetuarve.

Numri i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë gra e burra.

Për herë të parë publikisht për tmerrin e përjetuar rrëfeu Vasfije Krasniqi në vitin 2018. Më pas, Shyrete Tahiri ka dorëzuar publikisht pranë Prokurorisë Speciale kallëzimin penal për rastin e saj.

Ramadan Nishori nga Drenasi, është burri i parë që foli publikisht për dhunimin seksual, pikërisht më 14 prill të vitit të kaluar që njihet si Dita Memoriale për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.

Ky publikim është mbështetur nga IRCT në kuadër të projektit ACT (Advocacy for Change on Time-limits)


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026