Është lansuar projekti pesëvjeçar “Transformimi i gjelbër i ndërmarrjeve private në Kosovë” (GPEK), një iniciativë e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), e bashkëfinancuar nga Suedia dhe e zbatuar nga Helvetas, që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë në rrugën drejt qëndrueshmërisë, inovacionit dhe konkurrueshmërisë më të lartë.
GPEK përfaqëson një investim të rëndësishëm në të ardhmen ekonomike të Kosovës dhe synon të forcojë ekosistemin që u mundëson bizneseve të investojnë, të inovojnë dhe të zhvillohen në kuadër të tranzicionit të gjelbër.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kryesore e ekonomisë sonë. Ato krijojnë vende pune, gjenerojnë investime dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ato përballen edhe me një realitet të ri ekonomik, ku tregjet evropiane dhe globale kërkojnë standarde gjithnjë e më të larta të qëndrueshmërisë, efikasitetit dhe burimeve të inovacionit. Për bizneset kosovare, veçanërisht ato që eksportojnë ose synojnë të eksportojnë, tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një përgjegjësi mjedisore, por ajo është një domosdoshmëri. Ajo është një mundësi konkrete për të rritur konkurrueshmërinë, për të përmirësuar produktivitetin dhe për të siguruar qasje më të madhe në tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Mehmeti.
Ajo theksoi se tranzicioni i gjelbër nuk është më vetëm një çështje mjedisore, por një domosdoshmëri ekonomike që lidhet ngushtë me konkurrueshmërinë dhe qasjen në tregje.
“GPEK do të punojë me sektorin privat dhe përmes tij. Ai nuk do të zëvendësojë tregjet apo institucionet. Përkundrazi, do të ndihmojë në forcimin e ekosistemit rreth ndërmarrjeve, duke përmirësuar qasjen në njohuri, duke nxitur inovacionin, duke mobilizuar investimet private dhe duke krijuar stimuj që e bëjnë transformimin e gjelbër më të lehtë dhe më tërheqës. Ambicia jonë nuk është thjesht të mbështesim një numër të vogël kompanish. Ambicia jonë është të ndihmojmë në krijimin e kushteve në të cilat shumë biznese mund të rriten, të inovojnë dhe të konkurrojnë në një ekonomi më të gjelbër. Ky projekt përfaqëson gjithashtu vazhdimin e angazhimit afatgjatë të Zvicrës për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë. Lansimi i sotëm është rezultat i viteve të përgatitjes dhe dialogut, duke reflektuar bindjen tonë se ndryshimet domethënëse kërkojnë durim, partneritet dhe një perspektivë afatgjatë”, tha Elsaesser.
Ajo vlerësoi se tranzicioni i gjelbër mund të kontribuojë në krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e inovacionit dhe mbajtjen e të rinjve në Kosovë.
Sipas tij, projekti është ndërtuar mbi idenë se bizneset adoptojnë më lehtë praktika të qëndrueshme kur ato sjellin përfitime konkrete ekonomike, si ulja e kostove, rritja e efikasitetit dhe zgjerimi i qasjes në tregje.
“GPEC ka të bëjë me më shumë sesa vetëm me gjelbërimin e ndërmarrjeve. Ai ka të bëjë me forcimin e aftësisë së Kosovës për të konkurruar në një botë që ndryshon me shpejtësi. Ka të bëjë me ndihmën ndaj bizneseve për t’u bërë më rezistente dhe më inovative. Ka të bëjë me pozicionimin e sektorit privat të Kosovës në një treg më të madh evropian. Dhe, në fund të fundit, ka të bëjë me ndërtimin e një ekonomie që krijon vlerë jo vetëm për bizneset, por edhe për njerëzit dhe brezat e ardhshëm. Suksesi i GPEC-it nuk do të matet nga numri i aktiviteteve që zbatojmë. Ai do të matet nga partneritetet që ndërtohen, investimet që mobilizohen dhe ndryshimet që vazhdojnë shumë kohë pasi projekti të ketë përfunduar. Tranzicioni i gjelbër nuk do të realizohet nga një projekt, një donator apo një institucion i vetëm. Ai do të formësohet nga vendimet, investimet, inovacionet dhe partneritetet e bizneseve, institucioneve, individëve dhe qytetarëve”, tregoi Herr.