Thirrje urgjente për fermerët, AUV kërkon masa të rrepta për mbrojtjen e derrave
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Thirrje urgjente për fermerët, AUV kërkon masa të rrepta për mbrojtjen e derrave
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u ka bërë thirrje të gjithë fermerëve që mbarështojnë derra të shtojnë masat e kujdesit dhe të zbatojnë me përpikëri rregullat e biosigurisë, për shkak të përhapjes së Mortajës Afrikane të Derrave (ASF) në vendet e rajonit.
Sipas AUV-së, ndonëse deri më tani në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast i kësaj sëmundjeje, rreziku për përhapjen e saj mbetet i lartë, ndaj parandalimi është thelbësor për mbrojtjen e fermave dhe sektorit blegtoral.
Agjencia u ka kërkuar fermerëve të kufizojnë hyrjen e personave dhe automjeteve të panevojshme në ferma, të dezinfektojnë rregullisht hyrjet, pajisjet dhe automjetet, të shmangin kontaktin e derrave me derrat e egër, të mos përdorin mbetje ushqimore për ushqimin e kafshëve dhe të blejnë derra vetëm nga ferma të regjistruara me dokumentacion veterinar.
Po ashtu, fermerët janë ftuar që të njoftojnë menjëherë veterinerin ose zyrat rajonale të AUV-së nëse vërejnë ngordhje të papritura, temperaturë të lartë, mungesë oreksi, dobësi ose shenja të tjera të dyshimta te derrat.
AUV thekson se Mortaja Afrikane e Derrave nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik, por është një sëmundje shumë ngjitëse për derrat, e cila mund të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike nëse nuk respektohen masat e biosigurisë.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.