Tenderi u ul për 10 mijë euro pa bazë ligjore dhe 39 mijë euro pagesa për shërbime ligjore pa dëshmi në MPJD
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Tenderi u ul për 10 mijë euro pa bazë ligjore dhe 39 mijë euro pagesa për shërbime ligjore pa dëshmi në MPJD
90505984_3056941727670326_4168493711862267904_n
19/06/2026 - 22:19
Linku u kopjua

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë parregullsish në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) gjatë auditimit për vitin 2025, duke ngritur shqetësime për menaxhimin e kontratave, procedurat e prokurimit dhe administrimin e personelit diplomatik.

Një nga gjetjet më interesante të auditorit lidhet me një kontratë për këshillim dhe përfaqësim ligjor në Ambasadën e Kosovës në Berlin. Sipas raportit, për këtë kontratë me pagesë 300 euro për orë pune nuk ishte emëruar menaxher i kontratës, ndërsa në një rast tjetër Konsullata e Përgjithshme në Frankfurt kishte paguar 39,181 euro për shërbime ligjore pa poseduar dëshmi të mjaftueshme që vërtetonin se orët e faturuara korrespondonin me shërbimet e kryera. Auditorët theksojnë se mungonin dokumente si evidenca të detajuara të orëve të punës apo raportet konkrete të punës së realizuar.

Një tjetër parregullsi serioze është konstatuar në një tender për shërbime higjienike. Sipas auditimit, Komisioni Vlerësues kishte ndërhyrë në çmimin e ofertës së operatorit fitues, duke e ulur atë nga 134,450 euro në 124,450 euro, me arsyetimin e korrigjimit të gabimeve aritmetike. Megjithatë, auditorët konstatuan se në ofertë nuk kishte gabime aritmetike dhe se ndryshimi prej 10 mijë eurosh tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj për korrigjime të tilla.

Raporti evidenton gjithashtu se në 20 misione diplomatike dhe konsullore, diplomatë dhe zyrtarë konsullorë kanë vazhduar të ushtrojnë detyrën edhe pas skadimit të mandatit katërvjeçar të paraparë me ligj. Sipas auditorit, një pjesë e tyre kanë qëndruar në pozita edhe pa dekrete të reja për vazhdimin e mandatit ose pa vendime të reja emërimi. Nga 20 rastet e identifikuara, nëntë persona nuk ishin pjesë e përhershme e shërbimit diplomatik.

Po ashtu, auditimi ka gjetur se tri pozita të rregullta në ministri mbaheshin nga ushtrues detyre përtej afateve të lejuara ligjore, ndërsa nuk ishin shpallur konkurse për plotësimin e tyre, pavarësisht se pozitat ishin përfshirë në planin vjetor të rekrutimit.

Auditorët kanë rekomanduar forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e rregullave të prokurimit publik, emërimin e menaxherëve të kontratave dhe menaxhimin e mandateve diplomatike në përputhje me legjislacionin në fuqi.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026