Kryeministri në detyrë, Albin Kurti priti në takim lamtumirës shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e falënderoi për kontributin dhe shërbimin.
Në takim, sipas komunikatës për media, u vlerësua roli i EULEX-it në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për policinë, shërbimin korrektues dhe forenzikën, si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë për qytetarët, përfshirë trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e viktimave.
“Kryeministri në detyrë Kurti i uroi z. Barbano suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Misionin dhe udhëheqjen e re të EULEX-it. Ndërkaq, z. Barbano e falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin dhe e uroi për fitore në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit”, thuhet në komunikatë.
Në fund, bëhet e ditur se Kurti i dhuroi Barbanos librat “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” të studiuesit Luan Tashi dhe “Ambasadorët” të autorit Henry James, si dhe një poster me urat në bankënotat euro.