Supremja shfuqizoi pagesën për shoqërues të pacientëve në spital nga tri euro
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Supremja shfuqizoi pagesën për shoqërues të pacientëve në spital nga tri euro
QKUK 1111
13/05/2026 - 15:48
Linku u kopjua

Gjykata Supreme e Kosovës shfuqizoi pagesën për shoqërues të pacientëve në spital cdo ditë nga tri euro.

Ky vendim u mor pas padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)” kundër të paditurës Ministria e Shëndetësisë, me bazë juridike shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht pikës 4 të shtojcës 3 dhe pikës 5 të shtojcës 4 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2024 - Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore, pas shqyrtimit gjyqësor publik, ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses.

Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar pikën 4 të shtojcës 3 dhe pikën 5 të shtojcës 4 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2024 – Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore.

IKD, ka parashtruar padi në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kontestuar ligjshmërinë e dispozitave të lartcekura përmes të cilave ishte përcaktuar pagesa prej 3 euro për çdo ditë qëndrimi në spital për personin shoqërues të pacientit mbi moshën 15 vjeç.

Në arsyetimin e saj, paditësja kishte theksuar se Ligji nr.04/L-125 për Shëndetësi e definon bashkëpagesën si mjet financiar që paguhet për shërbime të kujdesit shëndetësor nga personat që i shfrytëzojnë ato shërbime, ndërsa personi shoqërues nuk mund të konsiderohet shfrytëzues i shërbimeve shëndetësore, pasi ai nuk i nënshtrohet trajtimit mjekësor dhe nuk përfiton shërbime diagnostike, terapeutike apo rehabilituese.

Gjykata Supreme, pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, ka vlerësuar se dispozitat e kontestuara nuk kanë bazë të mjaftueshme ligjore dhe se përmes tyre është zgjeruar në mënyrë të palejuar nocioni i “bashkëpagesës”.

Në aktgjykim, Gjykata Supreme thekson se bashkëpagesa mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të një shërbimi shëndetësor. Sipas vlerësimit të Gjykatës, personi shoqërues nuk e plotëson këtë kriter, pasi prania e tij në institucionin shëndetësor lidhet me mbështetjen e pacientit dhe jo me marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Gjykata Supreme po ashtu ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë, përmes Udhëzimit Administrativ nr.03/2024, ka tejkaluar autorizimin ligjor të dhënë nga Ligji për Shëndetësi, duke krijuar një detyrim të ri financiar pa bazë të qartë ligjore, në kundërshtim me parimin e legalitetit.

Tarifimi i personave shoqërues cenon të drejtat e qytetarëve në qasje të barabartë dhe efektive në kujdesin shëndetësor, veçanërisht duke pasur parasysh praktikën faktike në institucionet publike shëndetësore, ku prania e familjarëve shpesh paraqet nevojë reale për mbështetje të pacientëve gjatë hospitalizimit.

Gjykata Supreme ka konstatuar se aktet nënligjore duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi apo detyrime financiare që nuk janë të parapara me ligj.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026