Gjykata Supreme refuzoi ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vërtetuar vendimin e PZAP-së të 18 majit që kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), lidhur me certifikimin e dhjetë kandidatëve të subjektit politik “Za Slobodu Pravdu i Opstanak”, për zgjedhjet, që do të mbahen më 7 Qershor.
Gjykata Supreme vlerësoi se Lista Serbe nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb.
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka vendosur lidhur me ankesën e subjektit politik “Lista Serbe”, të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.5/2026, të datës 18.05.2026.
Në seancën e mbajtur më 22.05.2026, ankesa e subjektit politik “Lista Serbe” është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së, është vërtetuar.Kundër vendimit të PZAP-së, subjekti politik “Lista Serbe” ka ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme, duke pretenduar shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Ankuesi ka propozuar anulimin e vendimit të PZAP-së dhe të vendimit të KQZ-së, si dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri.
Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme e Kosovës gjeti se ankesa është e pabazuar.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjektive.