Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka reaguar pas raportimeve për incidentin e sotëm në Gracanicë, ku një kandidat për deputet nga radhët e Listës Serbe (Marko Arsiq) ka penguar një tubim elektoral të Partisë së Serbëve të Kosovës. Incidenti që shkaktoi ky i fundit, duke grisur fletushka e ofenduar kundërshtarët politikë, sipas Islamit tregon se Lista Serbe, përveçse është shantazhuese, po bëhet edhe agresive.
“Jo veç me blerje votash dhe shantazhe ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë. Lista Serbe tashmë ka nisur të bëhet edhe më agresive duke përdorur edhe sulme të drejtpërdrejta ndaj tyre. Këtë herë ka ndodhur kundrejt kundërshtarëve të tyre serbë që synojnë futjen në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Islami, transmeton KosovaPress.
“Kërkojmë nga zyrtarët e Listës Serbe që ‘qentë e tërbuar’ t’i mbajnë në zinxhir më të shkurtër sepse ‘lehin’ shumë”, thuhet po aty.
Lidhur me këtë rast, KosovaPress i është drejtuar Policisë së Kosovës porse ende nuk ka marrë përgjigje.Ndërkaq, para disa ditësh, në një konferencë të Institutit Octopus është thënë se Serbia përmes luftës hibride po ndërhyn në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, përkatësisht se Serbia po e përdor Listën Serbe për destabilizimin e vendit tonë./KosovaPress