Një anëtar i Listës Serbe ka sulmuar kandidatët dhe anëtarët e Partisë së Serbëve të Kosovës, të cilës i prinë Aleksandar Jabllanoviq. Nga kjo parti kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur sot (e mërkurë) në Gracanicë, gjatë një takimi elektoral me qytetarë.
Sipas këtij njoftimi, sulmi erdhi nga Marko Arsiq, aktualisht drejtor në Komunën e Graçanicës dhe njëkohësisht pjesë e listës së kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe.
Behet e ditur se rasti është denoncuar në Polici.
“Morëm garanci se kriminelët do të trajtoheshin sipas ligjit. Banditi i Listës Serbe iku si zakonisht, por jemi të sigurt se ligji dhe drejtësia së shpejti do të veprojnë”, thuhet në njoftimin e partisë së Jabllanoviqit.Lidhur me këtë rast, KosovaPress i është drejtuar Policisë së Kosovës porse ende nuk ka marrë përgjigje.
Sot, KosovaPress, duke u thirrur në burime të veta, ka raportuar se aparati shtetëror i Serbisë po intensifikon përpjekjet për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, duke përdorur teknologjitë më të avancuara të inteligjencës artificiale (AI).