Rusia ka lëshuar qindra raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Në mesin e caqeve të goditura është edhe rezidenca e ambasadorit shqiptar në Ukrainë, bëri të ditur Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Si pasojë e sulmit në Kiev, që është një ndër më të mëdhenjtë të kryer, janë vrarë të paktën dy persona, teksa numri i viktimave pritet të rritet.
Ernal Filo është përfaqësuesi i Shqipërisë në Kiev. Shqipëria hapi për herë të parë Ambasadën e saj në Kiev në tetor të vitit 2024. Filo ka shërbyer më herët si ambasador në Mal te Zi.
Pas ngjarjes, ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme për shpjegime.Shqipëria përsërit thirrjen ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t'i japë fund luftës kundër Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.
Ministria e Jashtme tha po ashtu se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës, duke përsëritur mbështetjen për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainë.
Sulmi vjen pas paralajmërimeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që tha se një sulm masiv mund të ndodhë, duke u bërë thirrje njerëzve që të strehoheshinm shkruan Evropa e Lirë.