Sulmi amerikan godet juglindjen e Iranit, dëmtohet aeroporti
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Sulmi amerikan godet juglindjen e Iranit, dëmtohet aeroporti
ShBA Iran
17/07/2026 - 07:55
Linku u kopjua

Një sulm amerikan goditi aeroportin Iranshahr, në juglindje të Iranit, mëngjesin e së premtes, duke plagosur një person dhe duke shkaktuar dëme në instalimet elektrike dhe një rezervuar karburanti.

Televizioni shtetëror iranian bëri të ditur se, sipas autoriteteve iraniane, të paktën një predhë goditi aeroportin në provincën Sistan dhe Baluchestan, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërkaq, mediat e huaja raportojnë se një civil mbeti i plagosur si pasojë e sulmit.

Sulmi vjen në kohën kur operacionet ushtarake amerikane kanë vijuar në disa zona të Iranit jugor. Mediat iraniane raportuan gjithashtu për sulme ndaj urave pranë Bandar Khamir, ndërsa shpërthime dhe dëme janë regjistruar edhe në Bandar Abbas, Bushehr, ishullin Qeshm, Sirik dhe Ahvaz.

Përshkallëzimi i tensioneve në rajon nisi në shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një ofensivë të përbashkët kundër Iranit. Teherani iu përgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave në vendet e Gjirit që strehojnë asete amerikane.

Muajin e kaluar, Irani dhe SHBA-ja nënshkruan një memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të arritur një marrëveshje paqeje. Megjithatë, ditët e fundit tensionet janë rritur sërish, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, ku të dyja palët kanë shkëmbyer sulme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026